Bota

SHBA/Pelosi: Drejtësia do të vihet në vend


Kryetarja e dhomës së Kongresit në SHBA, Nancy Pelosi, ka deklaruar se “drejësia do të vihet në vend”, pas sulmeve që iu bënë ndërtesës së Capitol-it në Washington.

Ajo foli me ton të ashpër ndaj protestuesve dhe veprimeve që kryen . “Ata dështuan në misionin e tyre. I siguroj se do të përballen me drejtësinë”, deklaroi Pelosi.

Pelosi theksoi se kjo ishte një përpjekje për të përdhosur institucionet amerikane. Pelosi e cilësoi Capitol-in si “tempullin e demokracisë në SHBA”.

Kryetarja demokrate e Kongresit, premtoi se puna e dhomës së përfaqësuesve do të vazhdojë të jetë mbrojtja e interesave të popullit. “Ajo punë, fillon nga certifikimi i zgjedhjes së Joe Biden-it si president”.

“Pavarësisht veprimeve të turpshme sot, do t’i certifikojmë ato”, tha Pelosi. “Do të jemi shembulli i asaj çfarë përfaqëson SHBA-ja”.

I gjithë Kongresi u evakua pasi protestuesit u futën në Capitol. Zyra e Pelosit ishte ndër më të vandalizuarat gjatë bastisjes së institucionit.

Pas qetësimit të gjendjes, ligjbërësit janë rikthyer në Capitol për të vazhduar me procesin e certifikimit të zgjedhjeve. “E kemi parashikuar se do qëndrojmë vonë natën për përmbylljen e procesit”, theksoi Pelosi.

Procesi pritet të përmbyllet brenda ditës pavarësisht protestave./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore