Lajme

SHBA-Kinë, bisedime të tensionuara


Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka filluar të enjten e 18 marsit, bisedimet e para të nivelit të lartë me Kinën. Ato u shprehën se veprimet kineze kërcënojnë rendin global.

Këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, u shpreh se nuk kërkojnë konflikt, por mirëpresin konkurrencën e fortë.

“Ne gjithmonë do të mbrojmë parimet tona, për njerëzit tanë dhe për miqtë tanë”.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në bisedë me diplomatin e lartë të Kinës, Yang Jiechi dhe Këshilltarin e Shtetit, Wang Yi, në Anchorage, theksoi se pala amerikane do të diskutonte për shqetësimet që lidhen me veprimet kineze në Xinjiang, Hong Kong dhe Tajvan.

“Secila prej këtyre veprimeve kërcënon rendin e bazuar në rregulla që ruan stabilitetin global” .

Ndërsa, Jiechi akuzoi SHBA-në për përdorimin e fuqisë ushtarake dhe epërsinë financiare për të bërë presion ndaj vendeve. Gjithashtu diplomati u kundërpërgjigj me akuzën se SHBA abuzon me sigurinë kombëtare për kërcënimin e tregtisë ndërkombëtare.

“Xinjiang, Hong Kong dhe Tajvani janë  të gjitha pjesë të pandashme të territorit kinez dhe Kina kundërshton me vendosmëri ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në punët e saj të brendshme. Shtetet e Bashkuara duhet të merren me punët e tyre dhe Kina me të vetat”.

Gjithashtu ai u shpreh se duhet të ketë bashkëpunim ndërmjet dy vendeve dhe të mos ketë konfrontime.

Kundërpërgjigjet

Një ditë para takimit, Blinken njoftoi sanksione të reja ndaj zyrtarëve kinezë që kanë pasur gisht në shtypjen e mbështetësve pro-demokracisë në Hong Kong. Si përgjigje, Kina shtoi retorikën e saj duke kundërshtuar atë që ajo e quan ndërhyrje amerikane në punët e brendshme.

Të mërkurën e 17 marsit, Jiang Duan, kritikoi Shtetet e Bashkuara për gjendjen e të drejtave të njeriut, duke përmendur ato që ata i quajtën dështime të SHBA-ve në luftën kundër COVID-19 që solli humbjen e “qindra mijëra jetëve”.

Gjithashtu akuzat lidheshin me diskriminimin racor, brutalitetin policor dhe një “të kaluar të keqe të gjenocidit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore