Lajme

SHBA-ja shpreh “keqardhje” që Lista Serbe do ta bojkotojë shkarkimin e kryetarëve në Veri


Pas paralajmërimit të Listës Serbe të dielën se s’do të marrë pjesë në referendumin që pritet të mbahet më 21 prill në katër komunat veriore të Kosovës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se i vjen keq që Lista Serbe nuk e përkrah votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në Veri.

“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi.  Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet në një përgjigje për mediat në Prishtinë.

Po ashtu në përgjigje potencohet se siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, “ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të shkarkuar kryetarët në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”.

Një ditë më parë, Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, në një konferencë për shtyp paralajmëroi se partia kryesore e serbëve të Kosovës s’do të marrë pjesë në referendumin që pritet të mbahet më 21 prill në katër komunat veriore të Kosovës, derisa fajësoi kryeministrin kosovar, Albin Kurti, duke shtuar se janë planifikuar procedura të pamundura për largimin e kryetarëve.

Zllatan Ellek

Katër kryetarët shqiptarë të komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – mund të shkarkohen nga detyra nëse 50 për qind, plus 1 votues, voton për largimin e tyre. Në bazë të të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në veri janë 46.248 votues. Nëse edhe kjo fazë kalon suksesshëm, atëherë organizohen zgjedhjet për kryetarë të rinj.

“Në disa raste, gjatë takimeve me përfaqësuesit e QUINT-it dhe ambasadorët në Kosovë, kemi paralajmëruar se këto të dhëna nuk janë të sakta dhe se nuk e ruajnë gjendjen e vërtetë në terren, sepse në muajt e fundit, më shumë se 15 për qind e njerëzve nga veriu i Kosovës janë shpërngulur, për fat të keq nuk kemi hasur në mirëkuptim”, deklaroi të dielën kreu i Listës Serbe.

Ai gjithashtu pretendoi se kohët e fundit është rritur numri i shqiptarëve në listat zgjedhore në veri, sepse, sipas tij, për dy muaj në të gjitha komunat veriore është rritur në mënyrë disproporcionale numri i votuesve, ndërsa shtoi se Lista Serbe tregoi “konstruktivitet” duke dashur të marrin pjesë në procesin e referendumit për të zëvendësuar kryetarët e komunave.

“Ndoshta shkojmë kot në referendum dhe keqtrajojmë qytetarët që janë keqtrajtuar mjaftueshëm nga represioni i regjimit në Prishtinë. Dhe lind pyetja – a vlen referendumi sipas kushtetutës. Një dallëndyshe nuk e bjen pranverën. Me ardhjen e katër kryetarëve tanë, këshilltarë shqiptarë do të qëndrojnë deri në fund të mandatit të tyre”, shtoi ndër të tjera Ellek.

Në bazë të udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave nga shtatori i vitit të kaluar, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote që referendumi të ketë sukses. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE) për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës të vendosura në qershor për shkak të përshkallëzimit të situatës është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore