Lajme

SHBA-të shënjestrojnë aktorët destabilizues – sanksionojnë 10 individë nga Ballkani Perëndimor


Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë futur në listën e zezë 10 individë – aktorë destabilizues në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, ka njoftuar të enjten Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-ve, duke e konsideruar veprimin si përpjekje për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Savo Cvijetinoviç, Petar Gjokiç dhe Dushko Peroviç nga Republika Sërpska (RS) entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë; Miodrag Davidoviç dhe Branisllav Miçunoviç nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut dhe Misha Vaçiç e Nenad Popoviç nga Serbia, janë futur në listën e zezë të SHBA-ve.

“Rusia ka vazhduar të përdorë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor për të parandaluar integrimin e rajonit në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe të përdorë juridiksionet kryesore për të lehtësuar aktivitetet e saj agresive destabilizuese”, ka thënë Brian E. Nelson, nënsekretar për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare.

Gjokiç është Ministër i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e RS-së dhe kryetar i Partisë Socialiste (SP), derisa Peroviç është kreu i Përfaqësisë së RS-së në Moskë të Rusisë. Popoviç nga ana tjetër është kryetar i Partisë Popullore Serbe (SNP) – partnere koalicioni e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet në Serbi, ndërsa Vaçiç është lider i një organizate ultra-nacionaliste pro-ruse.

Miçunoviç dhe Davidoviç janë biznesmenë malazezë me të kaluar kriminale, ndërsa Samsonenko është biznesmen rus, i cili ka në pronësi klube të hendbollit dhe futbollit në Maqedoninë e Veriut. Kamceva nga ana tjetër është nëna e biznesmenit maqedonas, Orce Kamcev, i cili, gjithashtu, gjendet në listën e zezë të SHBA-ve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore