Kosova

SHBA dhe BE mirëpresin miratimin e Ligjit për Zgjedhjet: Shembull i bashkëpunimit me partnerët


Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë përshëndetur miratimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nga deputetët e Parlamentit të Kosovës në seancën e së enjtes.

Përmes një cicërime në rrjetin social në “Twitter”, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se ky është një shembull i mirë kur partitë politike në Kosovë bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtar.

“Unë përshëndes miratimin nga Kuvendi të legjislacionit për reformën zgjedhore – një shembull i rezultateve të mira që rezultojnë kur partitë punojnë së bashku dhe me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, shkroi ai në Twitter.

Tutje, diplomati amerikan theksoi se këto reforma “e harmonizojnë më tej Kosovën me standardet e BE-së dhe forcojnë normat demokratike”.

Nga ana tjetër, nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, po ashtu përmes një cicërime në Twitter thanë se “mirëpresim miratimin sot nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme”.

“Të lumtur të shohim që rekomandimet e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve janë marrë parasysh. KQZ të përafrojë rregulloren e elektoratit me ligjet e reja dhe të zbatojë kuadrin e ri ligjor përpara zgjedhjeve të reja”, thanë nga BE-ja.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes, me 86 vota pro e asnjë kundër, ka miratuar projektligjin për reformën zgjedhore.

Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë adresuar rekomandimet e misioneve vëzhguese të Bashkimit Evropian,  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore