Lajme

“Shamani anti-Putin” nga Moska, në spital psikiatrik


Një gjykatë në rajonin e Rusisë siberiane të Yakutia-s është duke i dhënë trajtimin e detyruar psikiatrik një Shamani, i cili tentoi të marshonte në këmbë për në Moskë “që të përzinte presidentin Vladimir Putin nga Kremlini”.

Aleksei Pryanishnikov, një avokat i Aleksandr Gabyshev, i tha Radios Evropa e Lirë se gjykata e qytetit Yakutsk vendosi më 26 korrik se Gabyshev paraqet një “rrezik ekstrem” për shoqërinë dhe se “duhet të trajtohet me forcë në një spital të specializuar nën mbikëqyrje të përhershme”.

Pryanishnikov gjithashtu tha se termi “trajtim” është i paqartë, duke shtuar se pacientët që u nënshtrohen trajtimeve të tilla mund të mbyllen në klinikat psikiatrike deri në tre vjet. Pryanishnikov tha se ai do ta apelojë vendimin.

Në mars, gjykata e shpalli Gabyshev “të paaftë mendërisht” dhe vendosi që ai të vendoset në një klinikë psikiatrike.

Vendimi u kundërshtua nga avokatët e Gabyshev-it dhe mbështetësit e tij, të cilët thonë se ishte një përpjekje për të heshtur mospajtimin.

Gjatë muajit shkurt, policia nisi një hetim kundër Gabyshev, duke e akuzuar atë për një “akt të dhunshëm kundër një oficeri policie”.

Asokohe, policia deklaroi se incidenti midis Gabyshev dhe një oficeri të zbatimit të ligjit ndodhi më 27 janar, më pak se tri javë pasi Shamani kishte njoftuar planin e tij për të rifilluar udhëtimin e tij në kryeqytetin rus.

Në prill, motra e Gabyshev, Kyaiyylana Zakharova, tha për “Radio Evropa e Lirë” se shëndeti i vëllait të saj ishte përkeqësuar në mënyrë dramatike.

Rrugëtimi

Gabyshev, për herë të parë, doli në ballinat e të përditshmeve në mars të vitit 2019, kur e quajti Putin-in “të keq” dhe njoftoi se kishte filluar një marshim drejt Moskës për ta përzënë presidentin rus nga zyra.

Ai eci për më shumë se 2 mijë kilometra, duke folur me qindra rusë gjatë rrugës.

Ndërsa fama e tij rritej, videot e bisedave të tij me njerëzit u postuan në mediat sociale dhe tërhoqën miliona shikime.

Në korrik të vitit 2019, kur Gabyshev arriti në qytetin Chita, ai udhëhoqi një tubim prej 700 vetash nën sloganin “Rusia pa Putin”.

Në atë kohë, Gabyshev tha se, “Zoti më tha se Putin-i nuk është njeri, por një demon dhe më ka urdhëruar ta dëboj atë”.

Marshimi i tij u ndal kur ai u arrestua në rajonin e Buryatia-s në shtator dhe u vendos në një klinikë psikiatrike në Yakutia për disa muaj kundër vullnetit të tij.

Qëndrimi i tij i detyruar në një klinikë u barazua nga shumë njerëz me praktikën e epokës Sovjetike të mospajtimit me përdorimin e trajtimit të detyruar psikiatrik.

Shamanët kanë shërbyer si shërues dhe fallxhorë në Siberi për shekuj me radhë. Gjatë epokës Sovjetike, mistikët u shtypën ashpër. Por në pjesë të izoluara të Siberisë, ata tani po rifitojnë famën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore