Gjykata Speciale

Shalës i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj


Pjetër Shala.

Pjetër Shalës, i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

Lajmi është bërë i ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSk).

“Paneli përmes kësaj: a. urdhëron vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit; b. urdhëron ZPS-në dhe avokatin e viktimave, nëse ai dëshiron, të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se e marta, 5 mars 2024; c. urdhëron mbrojtjen që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e marta, 12 mars 2024”.

“Përcakton që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se e premtja, 15 mars 2024”, thuhet në vendimin për shqyrtimin e 15-të të paraburgimit për Pjetër Shalën.

Me vendimin e 19 janarit 2024, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtjen e viktimave që nëse dëshirojnë t’i paraqesin parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës të paraburgimit, duhet ta bëjnë jo më vonë se 5 marsi 2024.

“Më konkretisht, ZPS rikujton se, në vendimin e tij të katërmbëdhjetë për paraburgimin, trupi gjykues konstatoi se ekzistonte një dyshim (mirë) i bazuar se i akuzuari ka kryer krime të shumta brenda juridiksionit të DhSK-së dhe pohon se asnjë rrethanë që mund ta ndryshojë këtë përcaktim nuk është përfshirë që atëherë”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendim thuhet se ZPS-ja mban qëndrimin se rreziku i arratisjes ekziston duke argumentuar se gjykimi është drejt fundit dhe kjo gjë e rritë edhe me tej rrezikun.

“ZPS-ja përsërit më tej argumentin e saj se të gjitha këto rreziqe mund të zbuten vetëm me mbajtjen e vazhdueshme të të akuzuarit në objektet e paraburgimit të DhSK-së, ku komunikimet dhe lëvizja e tij mund të monitorohen dhe kufizohen në mënyrë efektive”, thuhet në vendim.

Ndërsa, mbrojtja e Shalës e ka konsideruar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i paligjshëm.

“Mbrojtja pohon se vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është i paligjshëm dhe se lirimi i tij me kusht është i garantuar, pasi ZPS nuk ka dëshmuar se paraburgimi i tij mbetet i nevojshëm në kohën e shqyrtimit”, thuhet në vendim.

Shala ishte arrestuar më 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge. Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Por, Shala në nisje të gjykimit ndaj tij pati thënë në se akuzat ndaj tij janë “të fabrikuara”.

“Nuk pranoj asgjë, të gjitha janë të fabrikuara”, theksoi Shala.

Gjykata Speciale tashmë e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte në dhjetor të 2022-ës.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar më 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore