Sport

Sfida me San Marinon, Reja: Do ta kemi të vështirë


Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja, ka folur në konferencë për mediat në prag të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës, që kuqezinjtë do të luajnë përballë San Marinos.

Shqipëria do të përballet me San Marinon në “Elbasan Arena”, duke filluar nga ora 20:45, në ndeshjen e fundit kualifikuese për Katar 2022 në muajin shtator.

Reja ka vlerësuar maksimailisht kundërshtarin, duke e vënë theksin se janë një ekip i organizuar, të cilit duhet t’i lihet pak hapësirë në fushë.

“Ndaj San Marinos do ta kemi të vështirë, është një ekip i organizuar, duhet të kemi përqendrim dhe të bëjmë lojë të mirë. Duhet t’i lëmë sa më pak hapësira sepse janë të rrezikshëm”, tha Reja për mediat.

“Kjo është ndeshja jonë vendimtare, nuk mendoj asgjë tjetër pavarësisht se Polonia luan ndaj Anglisë. Unë mendoj vetëm për sfidën tonë”.

“Kemi konkurentë të fortë në këtë grup. Kemi Hungarinë që ju e keni parë që është e fortë fizikisht. Edhe Polonia është e fortë, ka kualitet”, shtoi tekniku.

Më tej italiani, foli për rritjen e nivelit që ka treguar Shqipëria në ndeshje dhe sipas tij, kjo rritje është për shkak të mentalitetit.

“Edhe ne kemi pasur rritje, i kemi treguar në ndeshje, mendoj që çelsi është ndryshimi i mentalitetit të Shqipërisë”, vijoi Reja.

“E kam thënë edhe pas ndeshjes me Hungarinë që sulmuesi është mbrojtësi ynë i parë, tani kemi bërë dhe gabime dhe që duhet ti analizojmë sa më mirë”.

“Duhet të kemi përqëndrimin e duhur dhe nëse ia dalim mbanë do të luajmë shanset tona deri në fund”, vazhdoi të thoshte 75-vjeçari.

Trajneri gjithashtu ka paralajmëruar risi në formacionin e Shqipërisë ndaj San Marinos, ku Amir Abrashi dhe Klaus Gjasula nuk do të jenë, ndërsa do të jenë të gatshëm Elseid Hysaj, Keidi Bare dhe Rei Manaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore