Lajme

Sërish testim në Prishtinë për shndërrimin e unazës qendrore


Foto: Komuna e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës, ka bërë të ditur se të shtunën dhe të dielën, duke filluar nga ora 06:00 – 23:40 do të vazhdojë testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.

“Ju njoftojmë se, të shtunën më 21 maj dhe të dielën më 22 maj, duke filluar nga ora 06:00 – 23:40 vazhdon testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të Kryeqyetetit në qarkore njëkahëshe për automjetet”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Komuna ka apeluar tek qytetarët që të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i testimit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të Task Forcës Rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor.

Ndërsa, qarkorja njëkahëshe gjatë kësaj fundjave do të jetë funksionale në drejtim të disa rrugëve.

“Rruga “Agim Ramadani”që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës, rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia, rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE, rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, rruga “Garibaldi” deri te semaforët pranë Grandit”.

Testimi i rrugëve njëkahëshe në Prishtinë.

Në të njëjtat data, edhe rruga “George Bush”, deri tek semaforët pranë Katedrales dhe rruga “Garibardi” deri tek semaforët pranë rrugës “Dritan Hoxha”, do të jenë të mbyllura për automjete dhe do të shfrytëzohen për aktivitetet e parapara në “Festivalin e Pranverës”.

“Ridefinimi i qendrës së qytetit” është njëri ndër projektet kryesore që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nxjerrë në programin e tij.

Me këtë projekt, ai parasheh që qendër e Prishtinës të bëhet e gjithë hapësira brenda unazës së brendshme të qytetit.

Rama, më 23 prill dhe 24 prill testoi unazën njëkahëshe në Prishtinë, mirëpo jo gjithçka përfundoi me sukses pasi janë krijuar kolona të gjata të veturave në hyrje-dalje të kryeqytetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore