Sport

Serie A/ Inter-i e mbyll vitin me fitore dhe në krye të renditjes


Kanë përfunduar tre ndeshjet e orës 18:30 në Serie A italiane. Të gjashtë skuadrat luajtën ndeshjet e fundit për këtë vit kalendarik.

Takimet ishin për javën e 19 të Serie A. Inter-i është skuadra e vetme që mori tri pikët. Dy takimet e tjera përfunduan në barazim.

Në sfidën e luajtur në “Giuseppe Meazza”, Inter-i fitoi minimalisht 1-0 përballë Torino-s. Goli që vendosi shifrat e takimit u shënua nga mbrojtësi holandez, Danzel Dumfries-i, në minutën e 30.

Edhe pse ndeshja ishte e balancuar, fati do i buzëqeshte zikaltërve në fund, që morën tri pikët dhe “blinduan” vendin e parë në tabelën e renditjes.

Inter-i ka 46 pikë, pas 19 javëve të luajtura. Shtatë pikë më pak kanë Napoli dhe Milan-i që renditen pas tyre. Torino qëndron në kuotën e 25 pikëve dhe në vendin e 11.

Në “Olimpico”, Roma nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 me Sampdoria-n. Edhe pse e kërkuan më shumë rrugën e rrjetës, kryeqytetasit nuk mundën ta gjenin më shumë se një herë.

Uzbekistanasi, Eldor Shomurodov-i shënoi golin e parë të takimit. Sulmuesi i Roma-s e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 72.

Festa e kryeqytetasve do të zgjaste vetëm tetë minuta. Pikërisht në minutën e 80, Manolo Gabbiandini, vendosi barazpeshën në këtë takim.

Pas këtij barazimi, Roma shkon në kuotën e 32 pikëve, në vendin e gjashtë në renditje. Miqtë nga Xhenova shkojnë në kuotën e 20 pikëve, në vendin e 15 në renditje.

Sfida tjetër u luajt në “Marc Antonio Bentegodi”. Hellas Verona vendase barazoi në shifrat 1-1 me Fiorentina-n. Një ndeshje që pa miqtë të ishin më dominues në fushë.

Goli i parë i takimit u shënua nga vendasit. Në minutën e 17, Kevin Lasagna e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë dhe avantazhin për pjesën e parë Verona-s.

Miqtë do të gjenin rrugën e rrjetës nëntë minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të takimit. Mesfushori Gaetano Castrovilli shënoi dhe vulosi shifrat përfundimtare të takimit në 1-1.

Me rezultatin e arritur, Fiorentina shkon në kuotën e 32 pikëve në vendin e shtatë në renditje. Verona shkon në vendin e 12 dhe ka 24 pikë të grumbulluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore