Lajme

Bislimi: Propozimet e Serbisë s’i pranoi as Lajçaku


Besnik Bislimi

(Ky lajm është përditësuar)

Pa marrëveshje ka përfunduar edhe raundi i pestë i negociatave për dinarin në kuadër dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), ndërsa planifikohet të mbahet një raundi i ri i negociatave për dinarin pas dy javësh.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherë shef i delegacionit kosovar, tha pas ciklit të ri të dialogut se Serbia pati “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në dinar nga Serbia në Kosovë, ndërsa shtoi se Emisari Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, do të dalë me një propozim të ri.

“…propozimi i Lajçakut është një përafrim, shkon në drejtim të duhur, por kërkon kohë për palët t’i analizojnë elementet ligjore – si të mundësohet financimi i shkollave dhe i ambulancave që ata kërkuan të furnizohen nga strukturat paralele, por pa treguar se cilat janë këto struktura”, tha ai.

Ai njoftoi se pala serbe insistoi që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i këtij mekanizmi nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimimin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë.

“Serbia sot tregoi se e sheh Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si mekanizëm për legjitimim e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë. Vazhdoi loja e vjetër me tendenca për të siguruar metoda që do të merrnin garanci për licencimin e institucioneve ilegale… Natyrisht kjo s’ka hasur në mirëkuptimin e Lajçakut e as në në tonin”, deklaroi Bislimi.

“Sigurisht që të gjitha këto propozime ishin shumë destruktive, prandaj Lajçaku do të dalë me një propozim të ri dhe ne do të duhet të japim mendimet tona për këtë propozim në shtatë ditët e ardhshme”, nënvizoi zëvendëskryeministri kosovar në një deklaratë për gazetarët pas takimit trelateral që zhvilloi të enjten në Bruksel të Belgjikës për çështjen e dinarit.

Lajçaku takoi më 25 prill kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit. E shefi i delegacionit serb, Petar Petkoviç, pretendoi se pala serbe tregoi “konstruktivitet” në negociatat e fundit për çështjen e dinarin serb.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë më 13 maj, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore