Lajme

Serbia mund të dalë nga “lista e gjelbër” e BE-së


Një pjesë e mirë e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë përfshirë në atë që Bashkimi Evropian e ka quajtur “listë të gjelbër” të udhëtimeve, mirëpo Serbia mund t’i ndahet kësaj liste pas rritjes së madhe të rasteve të reja me COVID-19.

Kështu është raportuar të shtunën e 7 gushtit në disa media serbe. Shkak, është rritja eksponenciale e rasteve për 100 mijë banorë.

Tavani i BE-së për vendet e treta, është ai i 75 infektimeve për 100 mijë banorë në 14 ditët e fundit. Por, Serbia, ka parë rritje nga 15.5 infektime për 100 mijë banorë në 52 për 100 mijë.

Nëse rastet ditore në Serbi shkojnë në 375 ditore, atëherë shifra e 75 infektimeve për 100 mijë banorë tejkalohet. Ndërsa epidemiologët, parashikojnë se rastet e reja mund të shkojnë edhe deri në 500 ditore në Serbi.

Lista rishikohet nga Këshilli i Evropës herë pas herë, për udhëzime të reja.

Shqipëria është gjithashtu ndër vendet që përfton nga lëvizja e lirë. Një rritje të rasteve ka pasur edhe në vend, por pavarësisht kësaj, për 100 mijë banorë, atë nuk shkojnë më shumë se 22 raste për 100 mijë banorë.

Të qenit në këtë listë është avantazh për vendet e treta. Kjo, pasi i lejon qytetarët e tyre të udhëtojnë brenda unionit, me më pak kufizime se vendet e tjera. Rritja e incidencës sakaq, rrezikon të gjithë rajonin për dalje nga kjo listë. Pikërisht Serbia, do të vihet e para në lupën e KE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore