Lajme

Serbia merr vendim për zbatimin e marrëveshjes për targat, njofton Petkoviç


Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, gjatë një konference për media ka bërë të ditur se ekzekutivi serb ka marrë vendim këtë të hënë që të mundësojë lëvizjen e lirë për të gjitha automjetet nga Kosova me targa RKS në drejtim të Serbisë, derisa sipas tij, vendimi do zbatohet nga 1 janari i vitit 2024.

“Ai vendim në fakt ka qenë obligim ynë nga marrëveshja për lirinë e lëvizjes nga viti 2011, e nënshkruar nga Borko Stefanoviç, e cila i referohet targave të RKS-së dhe letërnjoftimeve të Kosovës, futjes së patentë shoferëve të Kosovës dhe është rezultat i marrëveshjeve të atëhershme”, tha Petkoviç.

Petkoviç ka theksuar se Qeveria e Serbisë e ka marrë këtë vendim, meqë pret që edhe ajo e Kosovës t’i përmbushë obligimet e saj, jo vetëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por edhe të marrëveshjeve të tjera të arritura në Bruksel mes dy shteteve.

“Sot kemi mundësuar lirinë e lëvizjes për të gjitha automjetet nga Kosova. Ky vendim do t’ua lehtësojë jetën serbëve në Kosovë, sepse ata kryesisht përdorin vendkalimet administrative. Në fakt i kemi ndihmuar që të lëvizin dhe të jetojnë normalisht, sepse liria e lëvizjes është e nevojshme. Për dallim nga Kurti, i cili shkel lirinë e lëvizjes, ashtu siç shkel çdo ditë të drejtat e serbëve në”, ka shtuar Petkoviç.

Gjatë konferencës, ai shtoi se “nuk është sekret” që 99 për qind e serbëve të Kosovës përdorin targat RKS, meqë ka pretenduar se “kjo është mënyra e vetme për të mbijetuar dhe për të lëvizur”.

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Kosova për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet vetëm për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Kosovës”.

Tutje, Petkoviç potencoi se targat nuk paraqesin asnjë simbol të shtetësisë dhe sovranitetit dhe në këtë kuptim theksoi se ka shembuj të shumtë në botë ku ka targa të ndryshme në një vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore