Lajme

“Serbia do duhet të tërhiqet nga marrëveshja dypalëshe në ditën e pranimit në Union”, BE-ja reagon pas marrëveshjes mes Beogradit dhe Pekinit


Ilustrim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano, ka thënë se Serbia do të duhet tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe me palët e treta në ditën e pranimit në Union, duke iu referuar marrëveshjeve tregtare me Kinën që së fundmi shteti serb i ka nënshkruar.

Serbia, shpjegoi Stano, mund të lidhë marrëveshje tregtare me vende apo organizata të tjera përpara se të anëtarësohet në BE, “me kusht që ato të mos bien ndesh me dispozitat e Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit”.

“Në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, Serbia mori përsipër të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet bilaterale për tregtinë e lirë në ditën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, theksoi ai për “Radio Evropa e Lirë” në gjuhën serbe.

Ai shtoi se tërheqja e Serbisë nga marrëveshjet tregtare me palët e treta nuk është “një kusht i ri, por një rregull i përgjithshëm që zbatohet për të gjitha vendet kandidate që duan të anëtarësohen në BE”.

Serbia dhe Kina nënshkruan të mërkurën në Pekin një sërë marrëveshjesh në prani të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe presidentit të Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, ndër të cilat më e rëndësishmja është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takua me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin. Në praninë e tyre u nënshkrua Marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës.
Aleksandër Vuçiç dhe Xi Jinping

Mollët, kumbullat, pjeshkat, vaji i sojës do të jenë ndër produktet nga Serbia që do të eksportohen në Kinë pa taksa.

Sipas njoftimeve zyrtare, Serbia do të jetë në gjendje të importojë lëndë të parë nga Kina me “tarifa doganore dukshëm më të ulëta”.

Marrëveshja e tregtisë së lirë, të cilën dy palët e nënshkruan më 17 tetor në Pekin, përfshin 10,412 produkte nga Serbia dhe 8,930 nga Kina.

Në nënshkrimin e dokumentit morën pjesë edhe presidentët e Kinës, Xi Jinping dhe Aleksandër Vuçiç.

Për Vuçiç-in, kjo marrëveshje është një “hap i madh përpara”.

“Kur keni një tarifë dukshëm më të ulët, atëherë mallrat tuaja mund të jenë konkurruese ose më konkurruese”, tha ai.

Këto marrëveshje u nënshkruan në margjina të Forumit “Belt and Road”, që u mbajt në Pekin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore