Lajme

Selmanaj: Veprimet e Osmanit janë skandaloze dhe anti-kushtetuese


Driton Selmanaj

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovëds (LDK), ka reaguar nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” lidhur me refuzimin e presidentes kosovare Vjosa Osmani për ta dekretuar Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj, aktualisht kryprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Ai ka thënë se presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke mos garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve. Ai ka theksuar se presidentja Osmani për 18 muaj rresht ka abstenuar nga përmbushja e normave kushtetuese që burojnë nga akti më i lartë juridik i vendit.

“Pra kjo normë nuk është fakultative apo dëshirore për presidenten, pra nuk i lihet vullnetit të saj por është normë detyruese e domosdoshme kushtetuese, për të vepruar për mirë funksonimin kushtetues të institucioneve kushtetuese. Republikën e Kosovës e ka lënë mbi 18 muaj pa kryeprokuror”.

Deputeti i LDK-së ka thënë se mos-dekretimi i propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nga presidentja Osmani bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, ngase sipas tij, kompetenca e presidentetes për “emërime” dhe “shkarkime” kufizohet vetëm në aspektin ceremonial dhe se ajo nuk mund të kontrollojë meritën e “propozimeve” që vijnë nga KPK-ja.

“Arsyetimet e saj se ajo ka pritur kaq gjatë për ta kuptuar se çfarë po ndodhte me ankesat e kandidatëve në instancat e gjykatave të rregullta dhe Gjykatën Kushtetuese, nuk qëndrojnë fare, sepse, çështjet që trajtoheshin në këto instanca kishin të bënin me afatshmërinë e ankesave por jo me shkeljet apo parregullsitë e procesit”, ka nënvizuar ndër të tjera.

Selmanaj ka potencuar se edhe ankesat e presidentes Osmani lidhur me kërcënimet e pretenduara për shkak të mos-emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe mos-denoncimit të kërcënuesve në organet kompetente, janë  “skandaloze”, sepse sipas tij, ajo nuk ka besim në institucionet shtetërore.

Juristët sqarojnë vendimin e Presidentes për mosdekretim të Blerim Isufajt kryeprokuror shteti – A ishte ndërhyrje në sistemin e drejtësisë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore