Kosova

Selimi: S’ekziston asnjë rrugë që Serbia të anëtarësohet në BE pa njohjen e Kosovës


Petrit Selimi

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka potencuar se nuk ekziston asnjë rrugë që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa njohjen e Kosovës.

“BE-ja nuk importon problemet e Ballkanit mbi problemet e tyre ekzistuese”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Ky reagim i tij ka ardhur pas deklaratave të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se Bashkimi Evropian nuk do të kërkojë nga Beogradi zyrtar ta njohë de jure pavarësinë e Kosovës nëse anëtarësohet në Union.

Ndaj deklaratave të Hill ka reaguar edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili kujtoj deklaratat e kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rohde nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, kërkoi që të lexohet deklarata e Scholz-it e artikuluar gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë dhe Serbi në qershorin e vitit 2022.

Scholz në qershorin e vitit 2022 tha se është e “paimagjinueshme që Kosova dhe Serbia, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”.

“Kjo deklaratë ende qëndron. Rruga është atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit nga të dyja palët sa më shpejt”, ka shkruar ai.

Rohde i përgjigjet Hill-it, kujton deklaratën e Scholz-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore