Shqipëria

Sekuestrohen 7.7 kilogramë kokainë në kontejnerë me banane në Portin e Durrësit


Një tjetër sasi droge është sekuestruar, të martën e 7 shtatorit, nё njё kontejner me banane nё Durrёs. Policia ka njoftuar se bëhet fjalë për 7.7 kilogramë kokainë.

Taskforca permante, që vepron në hyrje dhe në dalje të Portit të Durrësit, ushtroi një kontroll të imtësishëm në një nga kontejnerët të ngarkuar me banane, sipas njoftimit të policisë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga burime zyrtare për Albanian Post.

Sipas njoftimit të policisë, lënda narkotike u gjet në kontejnerët e firmës “Alba Exotic Fruit”. Rasti në fjalë është vijim i një operacionit të mëparshëm.

Më 13 korrik 2021, 11 kilogramë kokainë u gjetën brenda një kontejneri, të kësaj firme, në Portin e Durrësit.

Në atë kohë u arrestua në flagrancë shtetasi B. G., menaxheri i firmës dhe u shpall në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D.

“Kontejneri i ngarkuar me banane kishte ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme, ku në pjesën fundore të kapakëve të motorëve frigoriferike, u gjetën dhe u sekuestruan 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë”, njoftoi policia në atë kohë.

Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut, sipas njoftimit zyrtar të policisë.

Kokainë në kontejnerë

Në muajin korrik një seri ngarkesash kokaine u kapën në Portin e Durrësit të fshehura në kontejnerë kryesisht të ardhur nga vendet e Amerikës Latine.

Rasti shënon të dytin brenda një muaji, ku më datën 6 gusht në vijim të operacionit policor, i koduar “Urbanor”, u arrestua në flagrancë shtetasi D. D., 35 vjeç, administrator i firmës ku do të mbërrinte kontejneri.

Përkatësisht u sekuestrua një sasi rreth 7 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar kokainë.

Po ashtu, në fillim të qershorit, u sekuestruan 613 kilogramë kokainë në kontejnerët e firmës “Arbër Garden”.

Teksa vetëm në kuadër të kompanisë ‘Alba Exotic’ është hera e tretë që kryhen operacione të këtij lloji, në të cilat janë sekuestruar sasi të konsiderueshme kokaine, brenda muajve të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore