Lajme

Seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan mbahet më 24 maj


Autobusi i sulmuar në Gllogjan të Deçanit. Foto nga vendi i ngjarjes

Më 24 maj është vendosur që të mbahet seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve, Kastriot Mehmetaj, Kreshnik Mehmetaj dhe Halil Mehmetaj për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.

Ky gjykim do të nis në Gjykatën Themelore në Pejë, lajmin e ka konfirmuar gjyqtarja e çështjes Violeta Husaj-Rugova për ‘Betimin për Drejtësi’.

Më 5 maj, prokurorja e Shtetit, Sahide Gashi, ka bërë ditur se për rastin në Gllogjan të Komunës së Deçanit ku mbeten të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit, prokuroria ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër Kastriot e Kreshnik Mehmetaj për veprën penale si bashkë kryes të vrasjes së rëndë.

Gashi ndër të tjera ka bërë të ditur se po ashtu është ngritur aktakuzë edhe ndaj Halil Mehmetajt për veprën penale “shtytje në vrasje të rëndë”.

Derisa për Malsor Mehmetajn kanë pushuar hetimet meqë Prokuroria “nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në përgatitjen, ndihmë apo zbatimin e aktit të krimit”.

Vendi i ngjarjes ku është kryer vrasja në Gllogjan.

“Pas hetimeve Prokuroria sot më 5 maj ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër Kastriot Mehmetaj e Kreshnik Mehmetaj për vepër penale ‘vrasje’ si bashkëkryes të veprës. Kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale shtytje në vepër të rëndë”.

“Pas përfundimit të hetimeve dhe shqyrtimit të të gjitha provave, Prokuroria për të pandehurin Malsor Mehmetaj nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në krim, andaj Prokuroria ka marrë vendim që kundër tij t’i pushojë hetimet”, kishte thënë Gashi para mediave.

Tre të dyshuarit ishin arrestuar më 11 dhjetor për vrasjen e tre personave, më 26 nëntor në Gllogjan të Komunës së Deçanit, por që nga 26 nëntori ky rast ishte në hetime.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e 26 nëntorit 2021 në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që vinte nga Gjakova u sulmua nga një person i maskuar,  derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia njoftoi se nuk ka arsye për të besuar se sulmi ka motive terroriste.

Disa ditë pas sulmit, Policia e Kosovës nuk posedonte kurrfarë informatash lidhur me të dyshuarit apo të dyshuarin që mund të kishte kryer sulmin.

Ndërsa më 28 nëntor Qeveria e Kosovës bashkë me Policinë ofruan shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që do të jepte informata që do të çonin në arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Komunën e Deçanit.

Raporti i policisë kishte treguar se dyshimet e para ishin se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Të dhënat e para nga policia ishin se “i dyshuari gjendet në arrati”, kurse “rasti vazhdon në procedurë hetimore”.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, kishte treguar për Albanian Post se policia ka arsye të besojë se “ka qenë vetëm një sulmues me armë”, porse ka refuzuar që në këtë fazë të flas më shumë për motivet e sulmit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore