Lajme

SBASHK-u të hënën mban takim, në fokus “vendimi skandaloz” i MASHT-it


Rrahman Jasharaj

Sindikata e Bashkimit të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) të hënën do të mbajë takim me kryetarët e nivelit komunal sindikal, ku do të bisedohet për gjendjen aktuale në arsim dhe problemet lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor që parashihet të nis me 1 shtator.

Takimi në fjalë do të nisë nga ora 10:00 dhe në fokus do të jetë “vendimi skandaloz” i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) lidhur me tekstet shkollore, kanë njoftuar nga SBASHK-u nëpërmjet një komunikae për media.

“Në këtë takim do të bashkëbisedohet për gjendjen aktuale në arsim, për problemet lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, për vendimin skandaloz të MASHTI-it për tekstet shkollore e për shumë çështje të tjera”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Aplikimi për rimburësimin e mjeteve për blerjen e librave dhe mjeteve të tjera shkollore të 227 mijë e 984 nxënësve është hapur të premten, ndërsa paratë parashihet t’iu dalin prindërve në xhirollogaritë bankare që nga fillimi i javës së ardhshme.

Megjithatë, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur vetëm pak ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, zyrtarë të lartë të MASHT-it vazhdimisht janë munduar ta arsyetojnë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

MASHT-i ka pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadësh të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore