Lajme

Sauditët do të ulin prodhimin e naftës me 500 mijë fuçi në ditë


Arabia Saudite thotë se do të ulë prodhimin e naftës me 500 mijë fuçi në ditë nga maji deri në fund të vitit 2023.

Ky veprim ka të ngjarë të rrisë çmimet e naftës, duke tensionuar më tej marrëdhëniet midis Rijad-it dhe Washington-it, ndërsa bota përballet me inflacionin e nxitur pjesërisht nga lufta në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë perëndimore.

Ministria e Energjisë tha të dielën se shkurtimet do të bëheshin në koordinim me disa anëtarë të OPEC dhe jo-OPEC, pa i përmendur emrat e tyre, dhe ishin si shtesë e një reduktimi të shpallur tetorin e kaluar.

Autoritetet e përshkruan lëvizjen si një “masë paraprake” që synon stabilizimin e tregut të naftës.

Arabia Saudite zemëroi administratën Biden vitin e kaluar kur ajo dhe anëtarët e tjerë të OPEC ranë dakord të ulnin prodhimin në prag të zgjedhjeve gjysmë-mandatuese në SHBA, në të cilat inflacioni ishte një çështje kryesore.

Si SHBA-të ashtu edhe Arabia Saudite mohuan çdo motiv politik, duke thënë se ata ishin të fokusuar në ruajtjen e një çmimi të shëndetshëm tregu.

Zëvendës kryeministri i Rusisë tha gjithashtu se Moska do të zgjasë një ulje vullnetare prej 500 mijë fuçi në ditë deri në fund të vitit 2023.

Sipas Al Arabiya, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Iraku, Omani dhe Algjeria thanë se do të shkurtonin vullnetarisht prodhimin gjatë të njëjtës periudhë kohore.

Emiratet e Bashkuara Arabe do të ulin vullnetarisht prodhimin e naftës me 144 mijë fuçi në ditë nga maji deri në fund të vitit 2023, tha të dielën ministri i energjisë.

Kuvajti njoftoi një ulje prej 128 mijë fuçi në ditë, ndërsa Iraku tha se do të shkurtonte prodhimin me 211 mijë fuçi në ditë, dhe Omani njoftoi një ulje prej 40 mijë fuçi në ditë.

Algjeria tha se do të ulë prodhimin e saj me 48 mijë fuçi në ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore