Lajme

Asociacioni – çështje shumë relevante, por Gjermania s’e cilëson kriter për Këshill të Evropës, thotë Sarrazin


Manuel Sarrazin

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë për platformën “European Western Balkans” të mërkurën, tha se shteti që përfaqëson nuk e ka përmendur asnjëherë që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jetë një ndër kushtet për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sarrazin u pyet për qëndrimin e Gjermanisë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, posaçërisht mbi sugjerimet e diskutuara javëve të fundit që avancimi drejt Asociacionit i Komunave me Shumicë Serbe do të jetë kusht për Kosovën në prag të vendimmarrjes së ministrave të jashtëm për anëtarësimin e vendit.

“Duhet të rrëfej se s’mund ta ndjek vërtet argumentimin e Serbisë. Së paku për palën gjermane, mund të them se kriteret e përmendura nga Serbia nuk janë publikuar asnjëherë si kriteret tona për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, theksoi Sarrazin, derisa shtoi se Kosova – megjithatë – duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Në përgjithësi, situata rreth minoriteteve në Kosovë është shumë relevante”, shtoi Sarrazin, derisa kujtoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është obligim i Kosovës që rrjedh nga cikli i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme evropiane. Sarrazin potencoi se Gjermania përkrah Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës, porse i mbetet Kosovës të bëjë “gjithçka” për t’i bindur shtetet anëtare.

“Dhe ne qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Evropën, që do të thotë edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Por vendimi në fund do të jetë i Këshillit të Ministrave dhe është thelbësore që Kosova të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare. Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës”.

Shtetet e QUINT-it – Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – dëshirojnë të shohin lëvizje reale drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e draft-statutit për këtë mekanizëm për serbët në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përpara se vendet të bien dakord për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ndryshe, vendimmarrja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës i takon ministrave të jashtëm të shteteve anëtare që pritet të mblidhet në mes të muajit maj. E për të marrë dy të tretat e votave të nevojshme në Këshillin e Ministrave, vendi i vogël ballkanik duhet të ngrisë “pesha të rënda” nëse dëshiron që përfundisht të bëhet anëtarja më e re e organizatës më të vjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore