Shqipëria

Santos: Zgjatja e mandateve të Vetting-ut, PS dhe PD të vijojnë dialogun


Raporterja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, pas përmbylljes së vizitave në vend ka mbajtur një deklaratë për mediat.

Ajo ka bërë thirrje që opozita dhe mazhoranca të vijojnë dialogun në Parlament sa i përket zgjatjes së mandateve të Vetting-ut.

“Besoj që opozita dhe mazhoranca do kenë një angazhim në të ardhmen, duke marrë parasysh interesat e Shqipërisë, që janë zgjatja e mandatit të Vetting-ut”, tha ajo.

Reporterja njoftoi se mazhoranca i ka konfirmuar se është tërhequr lidhur me projekt-ligjin për mediat.

Sa i përket integrimit evropian, Santos u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar të pesta kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian.

Por – ka shtuar – se për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare nevojitet që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të arrijnë sa më shpejt marrëveshjen.

“Jemi të pranishëm këtu, po investojmë në Shqipëri. Data e nisjes së negociatave nuk ka rëndësi thelbësore sa i përket ndryshimit të jetëve të qytetarëve”, deklaroi ajo.

Raporterja ka theksuar se Ballkani Perëndimor duhet të jetë i përqendruar te procesi i integrimit.

Sa i përket nismës “Ballkani i Hapur”, Santos u shpreh se nuk ka lidhje me procesin e integrimit.

“Është një nismë që kërkon të ketë bashkëpunim më të mirë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, por e rëndësishme për mua është procesi i integrimit evropian dhe unë jam e fokusuar te ky proces”, tha ajo.

Santos u takua më herët me nënkryetarët e Partisë Demokratike, Alfred Rushaj dhe Jorida Tabaku, kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Të gjithë vlerësuan angazhimin e saj në Parlamentin Evropian, në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore