Muzikë

Sanremo nis më 2 Mars


Amadeus, drejtor artistik dhe moderator i festivalit të muzikës në Itali, Sanremo, ka njoftuar për “Rtl 102.5” se po punohet që festivali të nisë më 2 Mars 2021.

“Ne jemi duke punuar për 2 Marsin, për mua netët e festivalit duhet të zgjasin nga 2 deri në 6 Mars. Ne duhet të jemi në gjendje t’i japim audiencës një festival brenda rregullave të higjenës. Shëndeti është më i rëndësishmi dhe askush nuk duhet të vendoset në rrezik”, tha Amadeus.

Ai u shpreh se i gjithë stafi është angazhuar bashkë me Radio Televizionin Italian (Rai), televizionin ku Sanremo transmetohet, në mënyrë që të gjithë të jenë të sigurt dhe mbrëmjet të kenë zhvillim normal.

“Sanremo nuk mund të bëhet pa publik”, theksoi Amadeus.

Ai ju kthye edhe temës së përfolur për realizimin e festivalit në bordin e një anije.

“Ne jemi  duke punuar mbi idenë e një anijeje, për të bërë të mundur që 500 njerëz të jenë prezentë në festival”, vijoi ai.

Amadeus shplalosi idenë e tij për një Sanremo 2021, me publik prezent.

“Publiku do të jetë po i njëjti. Ata nuk do të kenë kontakt me askënd, disa prej tyre do të jenë edhe të vaksinuar, përtej tamponave të përditshëm që do të kryejmë. Anija do të shërbejë si “flluskë” mbrojtëse nga virusi. Pasi të kalojnë një javë pushime të bukura në anije, do të transportohen në mbrëmjën e festivalit në grupe prej 20 personash. Është një ide që ka zgjuar kuriozitet në të gjithë botën, madje edhe në Amerikë. Ekziston një protokoll që duhet ndjekur, por mund të realizohet “, u shpreh Amadeus./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore