Sport

‘San Siro’ gati të kthehet në monument me 35 mijë pemë në kujtim të viktimave të COVID-19


Stadiumi mitik i Milanos, “San Siro” ose siç njihet zyrtarisht si “Giuseppe Meazza”, mund të kthehet në monument në përkujtim dhe nderim të viktimave nga COVID-19.

Aktualisht shtëpia e skuadrës së Milan-it dhe Inter-it pritet të shkatërrohet dhe mbi të të ngrihet një stadium tërësisht i ri, “Katedralja”.

Projekti i ri u miratua vetëm pak ditë më parë. Stadiumi do të ketë 65 mijë vende, rreth 15 mijë vende më pak se aktuali dhe do të përfundojë në 2027.

E gjithë zona ku ndodhet stadiumi do të rizhvillohet, duke përfshirë një hapësirë mbi 110 mijë metra katrorë.

Por, arkitekti kryesor i stadiumit të ri, Angelo Renna, ka një tjetër ide mbresëlënse. Sipas tij, “San Siro”, mund të lihet siç është dhe në shkallët e stadiumit të mbillen 35 mijë pemë të llojit selvi, për të nderuar ata që humbën jetën gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Ideja kryesore është të shpëtojmë stadiumin legjendar ‘San Siro’ nga prishja, duke e kthyer të gjithë strukturën në një vend përkujtimor në kujtim të viktimave të Covid-19”, tha Renna për revistën e dizajnit “Dezeen”.

“Pothuajse 35 mijë njerëz kanë humbur jetën në Itali gjatë pesë muajve të fundit gjatë pandemisë së koronavirusit dhe Milano ka qenë një nga epiqendrat kryesore”.

“Shpresa ime është të krijoj një vend shpirtëror dhe të shenjtë në të cilin njerëzit do të jenë në gjendje të rilidhen me të dashurit e tyre”, shtoi arkitekti.

“San Siro” është shtëpia e Milan-it që nga viti 1927 dhe e Inter-it që nga viti 1947. Vendimi për prishjen e tij ka përçarë tifozët, për shkak të historisë së shumtë që ai ka.

Ndryshe nga ata që janë pro prishjes së stadiumit, Renna dëshiron që t’i japë një “jetë të dytë”.

“Propozimi im përfshin transformimin e stadiumit ekzistues në diçka krejtësisht të ndryshme nga përdorimi i tij aktual, në mënyrë që ne t’i japim këtij vendi një identitet të ri, një jetë të dytë,” tha Renna.

“Të ruash strukturën duke modifikuar përdorimin e saj. Mund të duket si një zgjedhje, por unë personalisht e shoh më shumë si një mundësi për të krijuar diçka unike dhe të veçantë për ata njerëz që kanë humbur të dashurit e tyre”, theksoi ai.

Propozimi i Renna-s është që stadiumit t’i hiqet çatia dhe stolat ku ulen tifozët. Më pas shkallët të mbushen me dhe, ku do të mbillen 35 mijë selvitë.

Ndërsa, fusha e futbollit do të mbetet si një lëndinë e gjelbëruar me bar, por me disa vendkalime në mes, që të lejojnë hyrjen në të.

Gjithashtu, Renna shpjegoi pse selvitë ishin jetike për projektin.

“Selvia është një pemë zbukuruese e zakonshme e kultivuar për mijëra vjet në të gjithë rajonin e Mesdheut”, zbuloi ai.

“Forma vertikale e gjelbër e errët e këtyre pemëve është një simbol shumë karakteristik i varrezave dhe hapësirave të shenjta, si një simbol i pavdekësisë, emblema e jetës pas vdekjes”.

“Selvia është gjithashtu një pemë që falë kurorës së saj të ndërlikuar dhe të trashë ofron habitat për shumë zogj, ketra, hardhuca dhe shumë kafshë të tjera”, shtoi Renna.

Kostot e prishjes së “San Siro”-s vlerësohen se do të jenë rreth 70 milionë euro. Renna beson se ato para mund të investohen për të vënë në zbatim projektin e tij.

Gjithsesi fjalën e fundit për “San Siro”-n do e japin unanimisht bordet drejtuese të Milan-it dhe Inter-it, si dhe Këshilli i Bashkisë së Milanos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore