Lajme

Samiti i klimës, Guterres: Ne po përballemi me një zgjedhje të ashpër


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres gjatë ceremonisë së hapjes së Samitit të oKB-së për Klimën COP26, në Glasgow, Skoci, të hënën, 1 nëntor 2021.

“Varësia jonë ndaj lëndëve djegëse fosile po e shtyn njerëzimin në greminë. Ne përballemi me një zgjedhje të ashpër: Ose do ta ndalojmë – ose do të na ndalojë”.

Kjo ishte deklarata me tone të ashpra e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të hënën e 1 nëntorit gjatë hapjes së COP26 në Glasgow.

“Ne po gërmojmë varret tona”, vijoi ai.

Guterres vuri në dukje shenjat e pagabueshme të një planeti në ndryshim: ngritja e nivelit të detit, ngrohja e oqeaneve, pyjet që tani lëshojnë më shumë karbon sesa ruajnë.

Ai vuri në dukje se gjashtë vitet që kur bota nënshkroi marrëveshjen e Parisit për klimën kanë qenë gjashtë vitet më të nxehta të regjistruara.

E megjithatë, premtimet aktuale nga vendet për të ulur emetimet e gazeve serë mbeten mjerisht të pamjaftueshme për të shmangur ato që shkencëtarët thonë se do të ishin nivele katastrofike të ngrohjes.

“Ndërsa hapim këtë konferencë të shumëpritur të klimës, ne ende po shkojmë drejt katastrofës klimatike”, tha Guterres të hënën.

Sekretari iu kërkoi udhëheqësve që të përdorin dy javët në vazhdim për të vepruar kolektivisht dhe me shpejtësi për të trajtuar një krizë në rritje.

“Sirenat po bien”, ravijëzoi ai duke shtuar se, “në emër të këtij dhe brezave të ardhshëm, ju bëj thirrje: Zgjidhni ambicie. Zgjidhni solidaritetin. Zgjidhni për të mbrojtur të ardhmen tonë dhe për të shpëtuar njerëzimin”.

Kryeministri britanik Boris Johnson, majtas, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, djathtas, përshëndesin Presidentin e SHBA Joe Biden, në Samitin e Klimës COP26 të OKB-së në Glasgow, Skoci, të hënën, 1 nëntor 2021.

Në ditët dhe muajt përpara Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Glasgow, paralajmërimet e ashpra nga shkencëtarët dhe politikëbërësit e bënë të qartë se koha po mbaron.

Pa veprime më ambicioze për emetimet, bota është në një trajektore të rrezikshme që “mund të çojë në një rritje të temperaturës prej rreth 2.7°C deri në fund të shekullit”, sipas një raporti të OKB-së.

Shkencëtarët thonë se një rritje e tillë do të kishte një ndikim katastrofik në mbarë botën.

Ngjarja, e njohur si COP26, do të përfshijë dy javë negociata, gjatë të cilave vendet do të përpiqen të vendosin objektiva më të guximshëm kombëtarë për kufizimin e emetimeve, të ndihmojnë vendet e cenueshme dhe në zhvillim të përballen me katastrofat ekzistuese klimatike dhe zhvendosjet e financave drejt ekonomive më të gjelbra.

Kryeministri britanik Boris Johnson, majtas dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, djathtas, përshëndesin Presidentin francez Emmanuel Macron, në Samitin e Klimës COP26 të OKB-së në Glasgow, Skoci, të hënën, 1 nëntor 2021.

Jo vetëm por edhe të vendosin rregulla që qeverisin gjithçka, nga tregjet e karbonit deri tek mënyra se si bota do të masë progresin e saj.

Në krye të COP26, Guterres ka punuar me “ethe” për të shkruar atë fund më të lumtur.

Takimi global i nivelit të lartë në Glasgow, që po mbahet në këto momente, është përshkruar gjerësisht si një nga më të rëndësishmit sa i takon klimës.

120 krerë shtetesh dhe qeverish janë planifikuar të marrin pjesë.

I pranishëm është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në një moment, ai u shfaq teksa takohej me kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore