Lajme

Samiti i klimës në Glasgow: Mbërrijnë udhëheqësit botërorë, mes tyre edhe kryeministri Rama


Takimi global i nivelit të lartë në Glasgow, që po mbahet në këto momente, është përshkruar gjerësisht si një nga më të rëndësishmit sa i takon klimës.

Samiti i klimës në Glasgow pason marrëveshjen historike të Parisit në vitin 2015.

Negociatat do të zhvillohen gjatë dy javëve, por samiti dyditor i liderëve filloi të hënën e 1 nëntorit.

120 krerë shtetesh dhe qeverish janë planifikuar të marrin pjesë.

I pranishëm është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në një moment, ai shfaqet teksa takohet me kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Çfarë dihet për Samitin?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të flasë gjatë ditës së sotme.

Administrata e ish-presidentit Trump ishte praktikisht jashtë çdo takimi ndërkombëtar mbi çështjet e klimës.

Ndërkaq, që të hënën e 1 nëntorit shumica dërrmuese e kabinetit Biden do të jetë në Glasgow.

Ata do të shoqërohen nga një delegacion gjithashtu i konsiderueshëm zyrtarësh “të karrierës”.

Mbretëresha Elizabeth II do duhej të organizonte pritjen e mbrëmjes, por monarkja 95-vjeçare do të jetë një mungesë e sigurt.

Kjo, pasi mjekët e kanë këshilluar lidhur me gjendjen e saj jo të mirë shëndetësore.

Mbretëresha pritet të shpërndajë një video-mesazh për të gjithë pjesëmarrësit.

Rusi-Kinë

Udhëheqësi kinez Xi Jinping nuk do të marrë pjesë në samit.

Ai do të paraqesë një deklaratë me shkrim – i vetmi lider botëror që e bën këtë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, në të kundërt nuk do të lëshojë asnjë deklaratë.

Lideri rus ka thënë më herët se nuk do të marrë pjesë personalisht në konferencën e OKB-së për klimën.

Kjo, për shkak se formati nuk i lejoi Putin-it të mbante një fjalim përmes video-konferencës.

Muajin e kaluar, Putin njoftoi se Rusia “do të përpiqet” për neutralitetin e karbonit deri në vitin 2060.

Në samitin e G20-ës në Romë të dielën e 31 tetorit, presidenti Biden ravijëzoi se Rusia dhe Kina “nuk shfaqën ndonjë angazhim në lidhje me ndryshimet klimatike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore