Lajme

Sahatçiu i quan “udhëheqës autokrat” Kurtin dhe Muratin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Financave Hekuran Murati dhe nënkryetarja e komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Donjeta Sahatçiu,  i ka quajtur autokrat udhëheqësit e Qeverisë.

“Udhëheqësit autokrat zakonisht e ndërmarrin hapin e ndëshkimit në pagesë për të dërgu mesazhin e fuqisë mbi punëtorin me paramendimin se ashtu e kupton dhe i nënshtrohet”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Sahatçiu, ka thënë se ky pushtet nuk di të bëjë kompromis për zgjidhje.

“Këta udhëheqës nuk e njohin empatinë. Nuk dijnë si të ulen e të provojnë të bëjnë kompromis për të gjete zgjidhjen që e kanë përgjegjësi. Por, dijnë të gjykojnë, të përçajnë e besa edhe të linçojnë nëse nuk i bindesh. Këta, veç udhëheqës nuk janë”.

“Tentativa për të përçarë në ata që meritojnë e duhet të paguhen dhe në ata që nuk e meritojnë e nuk duhet të paguhen është e humbur. Listat e pagave janë dorëzuar në afat, si çdo muaj. Lista shtesë diskriminuese nuk do të dorëzohen asnjëherë”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, pushteti aktual i Qeverisë Kurti rrezikon të mbetet pa udhëheqësi.

“Sinqerisht, nuk e di qysh ja ka qitë lapsin ky “udhëheqës”. Por, ajo çka di është që nëse nuk i proceson pagat të hënën dhe nuk gjen zgjidhje për çka paguhet të bëjë, në fund edhe nuk do të ketë kë të udhëheqë”.

1 shtatori dhe 2 shtatori, nxënësit i ka gjetur në shtëpi ndërsa mësimdhënësit në grevë.

Sindikata e Arsimit dhe sektorët tjerë publikë janë duke kërkuar 100 euro shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore