Përballje

Sadiku shënon për të tretën herë radhazi


Armando Sadiku ka shënuar për të tretën herë radhazi për ekipin e tij, Cartagena.

Ish-bomberi i kombëtares kuqezi, këtë herë gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen që skuadra e tij e fitoi në udhëtim te Real Oviedo me rezultat 1:3, takim ky i vlefshëm i javës së tetë në La Liga 2.

Ishte minuta e dhjetë kur 31-vjeçari shfrytëzoi një pasim nga krahu i djathtë, i rrëmbeu kohën mbrojtjes vendase dhe dërgoi topin në rrjetë me një goditje të menjëhershme.

Ky ishte goli i katërt i Sadikut me Cartagena-n, derisa ai është shndërruar në sulmuesin kryesor të skuadrës spanjolle.

Me këtë fitore, Cartagena ka 16 pikë në vendin e tretë, aq sa ka edhe Las Palmas një pozitë më lart.

Ndërkohë, dy pozitat e para e sigurojnë ngjitjen në La Liga në sezonin e ardhshëm, kurse pozitat nga tre deri në gjashtë luajnë në “Play-Off”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore