Kosova

Sadik Durakut po i skadon paraburgimi në Serbi, s’dihet nëse do të ndryshohet masa ndaj tij


Pikë kalimi kufitar në Horgash.

Masa e paraburgimit ndaj Sadik Durakut – i cili është ndaluar në Serbi që nga 17 prilli nën dyshimin për “krime lufte” gjatë vitit 1999, nuk dihet akoma nëse do të vazhdohet apo do të ndërprehet.

Familjarë të Durakut, janë shprehur “tejet të shqetësuar” për fatin e tij, duke thënë se po mbahet padrejtësisht në burgjet e Serbisë.

“Nuk e di se si të veproj nga Kosova. Avokati i tij, tash e tri javë, na thotë se në këtë javë mbahet seancë, në këtë javë, vëllai im po mbahet padrejtësisht në burgjet e Serbisë”, thotë Avdyl Duraku për Radio Evropën e Lirë.

Ndër të tjera ai shton se gjendja e tij shëndetësore “s’është e mirë”, kjo pasi që “vuan nga problemet në zemër”.

Avokati i Sadik Durakut, Goran Petronijeviç, deklaroi se klientit të tij është “duke i skaduar afati i paraburgimit”, por që nuk ka specifikuar se kur do të skadoj.

“Tani vendoset nëse do të vazhdohet paraburgimi prej 30 ditësh apo do të ndryshohet me ndonjë masë tjetër”.

Më 19 prill, Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Serbi ia kishte caktuar një muaj paraburgim të premten një Sadik Durakut, shtetas i Kosovës me dyshimin se i njëjti “ka kryer krime lufte”.

Nga MPJD, u tha se përfaqësuesi i zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, i kishte dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të Durakut, si dhe ofrimin e detajeve tjera relevante përkatëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore