Shqipëria

Sa vullnetare është rinia shqiptare?


Pyetja më e shpeshtë dhe spontane e jetës është “çfarë po bën për të ndihmuar të tjerët”? – Martin Luther King, Jr.

Për shumë individë, mirëqenia e tjetrit është shumë e rëndësishme. Prandaj, zakonisht zgjedhin punën vullnetare për të kontribuar në shoqëri.

Vullnetarizmi, në përgjithësi, konsiderohet një aktivitet altruist, kur një individ apo grup ofron shërbime jo për përfitime financiare apo sociale “për një tjetër person, grup ose organizatë”.

Puna vullnetare është po ashtu e njohur për zhvillimin e shkathtësive. Ka për qëllim që të promovojë të mirat ose përmirësimin e cilësisë së jetës.

Ajo mund të ketë përfitime pozitive si për vullnetarët, edhe për personin ose komunitetin e shërbyer. Po ashtu ka për qëllim vënien e kontakteve të mundshme të punësimit.

Shumë vullnetarë janë të trajnuar në fushat ku punojnë, të tilla si mjekësi, arsim apo emergjenca shpëtimi. Të tjerët shërbejnë sipas nevojës, si p.sh., në përgjigje të një fatkeqësie natyrore.

Puna vullnetare, lidhja me ndjesitë personale

Puna vullnetare lidhet me ndjesitë personale. Përveç dëshirës për t’u ndjerë i përfshirë në komunitet, është dhe ajo për të marrë pjesë në vepra të mira.

Janë gjeste të vogla humane, që nuk bëjnë asgjë më shumë veçse ngrenë lart shpirtin e njeriut. Ato na mësojnë sesa e vlefshme është jetesa në komunitet.

Në forcimin e lidhjeve sociale, vullnetarizmi luan rolin e një ure lidhëse mes pjesëve të ndryshme të shoqërisë. Përmes bashkëveprimit me qeverinë, komunitetin, shoqërinë civile, sektori i vullnetarizmit është partner kyç në rigjenerimin e grupeve të margjinalizuara.

Puna vullnetare u jep mundësinë njerëzve që të rritin aftësitë drejtuese. Ata janë të aftë për të identifikuar dhe kuptuar problemet e shoqërisë ku bëjnë pjesë.

Sa angazhohet rinia shqiptare te punët vullnetare?

Ka një numër të konsiderueshëm nismash vullnetare, ndër të cilat mund të përmendim “Fundjavë Ndryshe”, “Organizata NewVision”, dhe “AISEC Albania”.

Aktivistja vullnetare e fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Lediana Hoxhaj, për Albanian Post tha se janë të regjistruar rreth 9 mijë e 6 qind vullnetarë, që kanë kontribuar në projektet e nismës.

Sipas saj, projektet kanë shumë pjesëmarrës. Ka një gjithëpërfshirje të vullnetarëve dhe, përgjithësisht, aktivitetet më me shumë përfshirje janë ato me në fokus fëmijët.

Ajo u shpreh se vullnetarët janë kryesisht studentë të fakulteteve të sociologjisë, psikologjisë, filozofisë dhe punës sociale.

“Unë jam studente e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN/ UPT) dhe vullnetare prej më shumë se 4 vite te Fundjavë Ndryshe”, tha Klodiana.

Nga të gjitha aktivitetet, ajo veçoi nismën për dhurimin e gjakut.

Për sa u përket dobive personale që vijnë nga puna vullnetare, ajo u shpreh se është përmirësuar shumë në mënyrën e komunikimit dhe bashkëpunimit në grup.

“Më ka dhënë mundësinë të menaxhoj aktivitete nga fillimi në fund vetë, më ka bërë të njoh njerëz të rinj, të cilët i kam miq të mirë edhe në kohën time të lirë.

Të jesh vullnetar, nuk ka nevojë të kesh para, mjafton zemra dhe dëshira për të bërë mirë.

“Shprehja që kam shumë qejf është ‘bamirësia nuk të varfëron’”, u shpreh aktivistja vullnetare e “Fundjavë Ndryshe”.

Organizata jo qeveritare New Vision (NV) operon në Tiranë dhe në rang kombëtar me të rinj të grupmoshave të ndryshme.

Aktivitetet kryesore, ku bazohet puna e New Vision, janë programet e vullnetarizmit dhe promovimi i punës vullnetare në aspekte të ndryshme të jetës sociale.

Aktualisht pranë kësaj organizate punojnë vullnetarisht mbi 1 mijë e 200 anëtarë të regjistruar me të drejta të plota, të cilët janë të orientuar në fusha të ndryshme veprimi, si: programe vullnetarizmi në Institutet e fëmijëve me aftësi të kufizuar në shikim, dëgjim dhe prapambetje mendore.

Presidentja e AIESEC (organizatë që mundëson një rrjet shkëmbimi kulturor në formën e eksperiencave vullnetare), Ilda Haxhiu, u shpreh se, për momentin ka 39 vullnetarë aktivë, për arsye se gjithçka po zhvillohet në mënyrë virtuale. Më parë, kapaciteti human arrinte gjer në 65-70 anëtarë për projekt.

“Entuziastë nuk do të ishte fjala që do zgjidhja për të përshkruar angazhimin e tyre, por janë të rinj ambiciozë, me qëllime për të dhënë një impakt në shoqërinë shqiptare e për të qenë qytetarë global. Punojnë fort, që vizioni i organizatës: arritja e paqes në botë, të vazhdojë për gjeneratat që vijnë pas nesh”, përmbylli ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore