Lajme

Sa vlejnë marrëveshjet e Procesit të Berlinit, kosovarët akoma s’po mund të udhëtojnë pa viza në Bosnje dhe Hercegovinë


Kosova dhe Bosnja e Hercegovina

Kryeministrat e  gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor më 3 nëntor në kuadër të Procesit të Berlinit, ndër të tjera kishin nënshkruar një marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve e cila nënkuptonte se tash e tutje qytetarët nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina do të mund të vizitonin njëri-tjetrin pa viza.

Ndonëse në letër marrëveshja lejonte që qytetarët nga Kosova të udhëtonin vetëm me një letërnjoftim valide për në Bosnje e anasjelltas, situata në terren është krejt ndryshe.

Policia Kufitare në Bosnje e Hercegovinë ka bërë të ditur se informacioni i cili po qarkullon në rrjetet sociale se pas 3 nëntorit Kosova dhe Bosnja kanë larguar regjimin e vizave nuk është i saktë.

“Sipas Vendimit për viza është paraparë që poseduesit e dokumenteve të Republikës së Kosovës duhet fillimisht të pajisen me vizë, e cila nuk është e shënuar në dokumentin e udhëtimit, por lëshohet në formular të veçantë dhe sipas procedurës së veçantë. Qytetarët nga Kosova nuk mund të kalojnë kufirin shtetëror të Bosnjës vetëm me kartë të identitetit”, ka deklaruara Franka Vican Boskoviç, zëdhënëse e Policisë Kufitare të Bosnje e Hercegovinës, raporton mediumi boshnjak Radiosarajevo.ba.

Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pas nënshkrimit të tri marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit.

Marrëveshja është nënshkruar, por pse nuk po zbatohet?

Në rastin e Bosnjës, shpjegojnë mediat nga Sarajeva, marrëveshja për të hyrë në fuqi në rend të parë duhet të miratohet nga Asambleja Parlamentare e Bosnjës, pra kjo marrëveshje së pari duhet ta marrë dritën e gjelbër të Dhomave të Përfaqësuesve.

Duke pasur parasysh se konstituimi i qeverisë së re në Bosnje, shkruajnë mediat atje, është në zhvillim e sipër dhe se Asambleja Parlamentare të BiH-së ka shumë të ngjarë të konstituohet në fillim të vitit të ardhshëm (2023)  është e vështirë të pritet që marrëveshja të jetë në agjendën të Asamblesë përpara tremujorit të parë të vitit 2023.

Deri atëherë, siç u shpjegua, janë në fuqi marrëveshjet dypalëshe për kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftime, të cilat në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës vlejnë vetëm për Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore