Kosova

Sa të prodhojë vota, do prodhojë edhe kriza – betejat artificiale të Kurtit e Vuçiçit në veri


Ilustrmi

Tensionet sporadike në pjesën veriore të Kosovës po u shkojnë përshtati të dy liderëve ballkanikë, ndërsa “dinamika parakonfliktuale” do të zgjasë deri në momentin kur Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, të fillojnë të kenë më shumë humbje politike sesa përfitime.

Kështu thonë njohësit e çështjeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Abit Hoxha, të cilët vlerësojnë se situata e tensionuar në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, përdoret për t’i ushqyer ndjenjat dhe emocionet nacionaliste të të dy popujve, ndërsa vetë presin që këtë ta përkthejnë në mbështetje elektorale.

Thyerjet dhe prapësimet e kohërave të krizave krijojnë tokë pjellore për nacionalizmat, që kanë forma shfaqeje nga më të larmishmet, të cilat shkojnë nga patriotizmi i nderuar e deri tek nacionalizmi populist, prandaj edhe për socialogun Artan Muhaxhiri, situata në veri nuk përbën ndonjë përjashtim.

“Liderët populistë e kapitalizojnë secilin skenar që ndërlidhet me ngarkesa emocionale dhe potenciale patriotike. Situatat e tilla janë hambar i tagjisë dogmatike. Gjithsesi, rritja e shpejtë dhe e lehtë e përkrahjes militante e ndikon sferën publike dhe tenton të depërtojë në nivele të reja të popullaritetit”.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por kësaj here me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë dhe ngjitjen drejt esktremeve.

Muhaxhiri konsideron se Kurti dhe Vuçiç e kanë të qartë deri ku shkojnë kufijtë e domenit të fjalëve dhe kujt ia dedikojnë porositë e caktuara, prandaj janë të kujdesshëm që transformimin nga retorika në veprime ta bëjnë në bazë të aspekteve kohore të kufizimeve realiste, përfshirë edhe pasojat afatgjate.

“Në esencë, kjo është ‘betejë me saharinë (ëmbëlsues artificial)’, sepse asnjëra palë nuk mund të jetë vendimmarrëse sovrane për nivelin e dëshiruar të përfshirjes ushtarako-policore përderisa në rajon të jenë të pranishme trupat e NATO-s”, thotë Muhaxhiri për Albanian Post.

Edhe ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Univesitetin e Agderit në Norvergji, Abit Hoxha, vlerëson se të dy liderët janë të interesuar që politika e “status qou-së” të vazhdojë sa më gjatë që të jetë e mundur, ngase sipas tij, benefitet politike nga “mobilizimi i masave” janë të mëdha në kohë krize.

“Të dyja palët kanë interes që konflikti të vazhdojë, sepse përfitojnë nga mobilizimi i publikut. Konflikti që mundëson praninë në agjendën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, që prodhon trafik në publik, është rosa që bën ve të arta për lidershipin në Ballkan”, thotë Hoxha.

Nga momenti kur dy liderët u pajtuan në Ohër (18 mars) për sekuencimin e Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt), ata duket të kenë bërë hapa drejt një “lufte të ftohtë”, ndërsa bashkësia e organizuar ndërkombëtare s’i ka gjetur akoma instrumentet që palët të binden për de-eskalim të situatës në veri.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, duke qenë i vetëdijshëm se energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi, paralajmëroi “takim për menaxhimin e krizave” – çfarëdo që do të thotë kjo – mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, gjatë kësaj javë në Bruksel.

Megjithatë, thirrjes së kryediplomatit evropian nuk i janë përgjigjur pozitivisht as kryeministri Kurti e as presidenti Vuçiç – të paktën jo deklarativisht dhe jo deri më tani – ndërsa kanë ashpërsuar retorikën ndaj njëri-tjetrit, me akuza reciproke për nxitje të konfliktit në veri të Kosovës.

Dy njohësit e rrethanave politike në Kosovë kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket paralajmërimeve për një varg sanksionesh, ashpërsia e të cilave pritet të rritet varësisht rrethanave, për shkak të refuzimit të dy liderëve për të ndërmarrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm drejt qetësimit të situatës.

Muhaxhiri konsideron se asnjë lider në gadishullin ballkanik nuk është aq i pushtetshëm sa që për një periudhë kohore relativisht të gjatë ta përballojë, siç thotë ai duke iu referuar mundësisë së sanksioneve të rrepta, prapakthimin e shoqërisë dhe shtetit për arsye të nacionalizmit ideologjik.

“Në momentin kur ashpërsia e fjalëve dhe masave konkrete do të fuqizohet për t’u shndërruar në pengesë për jetesën e qytetarëve, atëherë do të ndodhë ndryshimi i menjëhershëm konstruktiv i pozicioneve”, paralajmëron ndër të tjera Muhaxhiri.

Hoxha nga ana tjetër vlerëson se Bashkimi Evropian nuk ka mekanizëm tjetër perveç diplomacisë edhe deri diku, të mundohet të sanksionojë “karotat” e veta për të dyja shtetet, ndersa shton se evropianët “vuajnë” nga mungesa e “shkopit” për të manifestuar forcën në raport me rrethanat aktuale.

Tensionimi i situatës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut, ndërsa duke u nisur nga fakti se palët shpresojnë të arrijnë marrëveshje me kushte përparësore për vetveten, Muhaxhiri thekson se përafrimi i pozicioneve nuk mund të bëhet në një të ardhme të afërt.

Madje, ai shton se takimi i dy liderëve me “menaxherët e krizave” në Bruksel nuk do të ndodhë deri në momentin kur autoritetet serbe të lirojnë tre policët kufitarë të Kosovës dhe autoritetet kosovare të japin garanci për mbajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve të reja lokale në veri të vendit.

“Ndonëse ekzistojnë presione të mëdha për t’u rigjeneruar dinamika parakonfliktuale, nuk ka gjasa që të ketë takim direkt Kurti-Vuçiç pa u liruar policët kosovarë. Pastaj duhet të vijnë garancitë institucionale kosovare për mënyrën e planifikimit dhe orarin e zgjedhjeve të reja në veri”, thotë Muhaxhiri.

Ndryshe, shpesh është thënë se negociatat kanë “normalizuar idenë e normalizimit”, por nuk kanë prodhuar një ujdi që do të normalizonte realisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, raportet mes Kosovës dhe Serbisë kthehen në gjendje edhe më të keqe pas çdo takimi në Bruksel.

Po qe se dëshirohet të shmanget konflikti i mëtejmë, mësimi nga episodi i dhunshëm në veri të Kosovës është se kërkohet angazhim i hershëm para se njëra apo pala tjetër t’i futen spirales së dhunës dhe të bëjnë që zgjidhja e balancuar në frymën e kompromisit të jetë e pamundur.

Ndërkaq, thuhet se kriza qëndron në dramatizimin e së tashmes për ata të cilët kanë një agjendë për ta ndryshuar gjendjen, kurse në “luftën” për ndryshim të realitetit në terren, nuk ka fitues. Në veri të Kosovës realisht ka çdo gjë nga pak përpos lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore