Lajme

Rusia ndryshon sërish komandantin në Ukrainë, ndizet beteja në Soledar


Moska emëroi një komandant të ri për pushtimin e saj në Ukrainë, ndërsa firma ushtarake private ruse “Wagner Group” tha se kapja e qytetit të minierave të kripës Soledar në Ukrainën lindore ishte e plotë, megjithëse ushtria ukrainase tha se beteja nuk kishte përfunduar.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu emëroi të mërkurën shefin e Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov si komandant të përgjithshëm për atë që Moska e quan “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë, tashmë në muajin e 11-të.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Ndryshimi efektivisht largon gjeneralin Sergei Surovikin, i cili u emërua vetëm në tetor për të udhëhequr pushtimin dhe mbikëqyri sulmet e rënda në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Më herët, kompania amerikane e hapësirës ajrore “Maxar” publikoi imazhe satelitore të qyteteve Soledar dhe Bakhmut të rajonit të Donetsk-ut, të cilat po përpiqen t’i kapin forcat ruse.

Pamjet u postuan nga “Maxar Technologies” në median sociale “Twitter”.

Pamjet satelitore tregojnë se ndërtesat e banimit dhe shkollat janë shkatërruar plotësisht në Soledar.

Në Bakhmut, ka mijëra gropa predhash përgjatë rrugëve dhe fushave.

Soledar, Donetsk region, photo from January 10
Soledar, rajoni Donetsk, foto nga 10 janari 2023
Soledar, photo from August 1, 2022
Soledar, foto nga 1 gusht 2022

Lufta për kontrollin e Soledar dhe Bakhmut në Ukrainën lindore është beteja “më e përgjakshme” për forcat ruse dhe ato ukrainase që nga fillimi i pushtimit në shkurt të vitit 2022.

Kështu është shprehur në një intervistë për “AFP”-në Mykhailo Podoliak, këshilltar i presidencës ukrainase.

“Çfarëdo që po ndodh sot në drejtim të Bakhmut-it apo Soledar-it, është skenari më i përgjakshëm i kësaj lufte”, ka thënë zyrtari ukrainas.

Podoliak e ka përmbledhur situatën e atjeshme si “shumë gjak, shumë duele artilerie, shumë luftime, veçanërisht në Soledar”.

Po ashtu ai ka ravijëzuar se aktualisht është “pika më e nxehtë e luftës”.

Misteri i Gerasimov-it, spastrimet ruse dhe gabimet e spiunëve amerikanë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore