Lajme

Rusia ndalon nxjerrjen e teknologjisë dhe pajisjeve nga vendi deri në vitin 2023


Pas sanksioneve ekonomike nga perëndimi, qeveria ruse ka vendosur një listë të mallrave dhe pajisjeve të importuara më parë në Rusi nga jashtë, të cilat janë të ndaluara të transferohen jashtë vendit deri në fund të vitit. Ky njoftim u bë i ditur nga shërbimi për shtyp i Kabinetit të Ministrave te enjten.

Sipas deklaratës zyrtare të publikuar në faqen e qeverisë, lista përfshin mbi 200 artikuj, duke përfshirë “teknologjinë, telekomunikacionin, pajisje mjekësore, automjete, makineri bujqësore, pajisje elektrike” si dhe “makina hekurudhore dhe lokomotiva, kontejnerë, turbina, metal dhe makinat e përpunimit të gurit, monitorët, projektorët, konzolat dhe panelet”.

“Eksporti i këtyre mallrave është i kufizuar përkohësisht në të gjitha vendet e huaja, me përjashtim të shteteve të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU), Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut”, thuhet në deklaratë.

Ky vendim vjen pas një dekreti të nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin të martën.

Ai pason një eksod masiv nga Rusia nga kompanitë perëndimore.

Për më tepër, qeveria ruse kufizoi përkohësisht eksportin e disa llojeve të drurit nga Rusia në shtetet që kanë kryer veprime jo miqësore, sipas listës së lëshuar.

Kufizimet do të mbeten në fuqi deri në fund të vitit 2022. “Kjo masë është e nevojshme për të garantuar stabilitetin në tregun rus”, thuhej në mesazh.

Kjo është dita e 15-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së mbi 2.3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 11 mijë.

Ndërsa 1 mijë e 300 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse -mes tyre edhe fëmijë.

Për të ndjekur zhvillimet e fundit të luftimeve Ukrainë-Rusi kliko KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore