Kosova

Rusia, Hill-it: Konfirmuat se anëtarësimi i Serbisë në BE s’varet nga Unioni


Christopher Hill

Ambasada e Rusisë në Serbi, nëpërmjet një komunikate për media, ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se Bashkimi Evropian nuk do të kërkojë nga Beogradi zyrtar ta njohë de jure pavarësinë e Kosovës nëse anëtarësohet në Union.

Sipas pretendimeve të Rusisë, Hill me këtë deklaratë ka marr përsipër të specifikojë publikisht kriteret mbi bazën e të cilave mund të avancojë integrimi evropian i Serbisë.

“Kjo, në fakt, vetëm konfirmoi atë që dihet përgjithësisht: perspektivat e vërteta të disa kandidatëve për anëtarësim në BE sot nuk përcaktohen në Evropë, por jashtë Unionit”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë për media Rusia ka pretenduar se kjo deklaratë e Hill “është vetëm një përpjekje e radhës për të mbuluar synimet e vërteta armiqësore të Perëndimit ndaj Serbisë dhe serbëve”.

“Pyetja retorike: nëse do të ndodhë ‘njohja de facto’, e cila presupozon edhe anëtarësimin e Prishtinës në OKB, a mund të ketë ndonjë opsion tjetër për zgjidhjen e çështjes së Kosovës përveç njohjes ‘de jure’”, potencon komunikata.

Ndryshe Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, e ka konsideruar si “diplomat serioz” Hill-in, duke potencuar se “askush në Serbi nuk do ta nënshkruaj një marrëveshje për njohjen e Kosovës”.

Hill potencoi se Bashkimi Evropian nuk do të kërkojë nga Beogradi zyrtar ta njohë de jure pavarësinë e Kosovës nëse anëtarësohet në Union.

Në vlerësimin e tij BE-ja po kërkon nga Serbia vetëm normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Mendoj se ata kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë”, ka thënë Hill, raportoi mediumi serb, N1.

Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e Kosovës për të hyrë në BE, thotë Hill

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore