Lajme

Rusia fillon stërvitjen me dronët iranianë, sipas CNN


Autoritetet amerikane besojnë se specialistët rusë filluan stërvitjen me drone në Iran disa javë më parë.

Kjo është shenja e fundit që Rusia synon të blejë këto sisteme, shkruan multimediali amerikan “CNN”.

“Në javët e fundit, zyrtarët rusë kanë kryer trajnime në Iran si pjesë e një marrëveshjeje për transferimin e UAV-ve nga Irani në Rusi”, tha një zyrtar amerikan për CNN.

Zyrtari vuri në dukje se të dhënat e inteligjencës për trajnimin u deklasifikuan së fundmi.

Gazetarët e CNN kanë kontaktuar ambasadën ruse në Washington për koment.

Më herët, sekretari i shtypit i Kremlin-it Dmitry Peskov, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në lidhje me dronët iranianë, tha se Federata Ruse “nuk ka komente për këtë çështje”.

Muajin e kaluar, dolën raporte se një delegacion rus vizitoi një aeroport në Iran të paktën dy herë për të inspektuar dronët.

Irani demonstroi dronët Shahed-191 dhe Shahed-129 për Rusinë në aeroportin Kashan në jug të Teheranit në qershor, thanë zyrtarët amerikanë.

Të dy llojet e dronëve janë në gjendje të mbajnë raketa me precizion të lartë.

Në korrik, këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha se Irani synon t’i shesë Rusisë qindra dronë, të cilët mund t’i përdorë në luftën kundër Ukrainës.

Federata Ruse po përpiqet të plotësojë rezervat e saj, gjë që e detyroi atë t’i drejtohej Iranit për pajisje.

Zyrtarët amerikanë kanë argumentuar gjithashtu se zgjerimi i marrëdhënieve midis Iranit dhe Rusisë është një shembull se pse Washington-i duhet të ruajë praninë dhe ndikimin e tij në Lindjen e Mesme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore