Lajme

Rusia filloi bllokimin e sinjaleve GPS në Norvegjinë veriore


Gjatë tre muajve të fundit, numri i rasteve të shkeljes së navigimit GPS të avionëve civilë është rritur ndjeshëm në Norvegji.

Lajmi u bë i ditur nga portali norvegjez “Dagbladet”.

Sipas Nikolay Gerrada, një inxhinier i lartë në Autoritetin Kombëtar të Komunikimeve Norvegjeze, ndërprerjet në lundrimin e aviacionit janë rritur në provincën verilindore të Finnmark-ut.

Kjo e fundit, kufizohet me Rusinë.

Vetëm në ditët e fundit, katër avionë kanë raportuar humbje të sinjalit GPS.

Në total që nga fillimi i vitit ka pasur 25 incidente të tilla – më shumë se në të gjithë vitin 2020 apo 2021.

“Për mendimin tonë, kjo (ndërprerje) lidhet me luftën në Ukrainë. Fakti që ato u intensifikuan pak para një sulmi kibernetik në shkallë të gjerë mund të jetë thjesht një rastësi”, pohoi përfaqësuesi i rregullatorit norvegjez.

Gerrada vëren se burimi i ndërhyrjes ndodhet në lindje të kufirit të pjesës lindore të provincës Finnmark, ku ndodhet Rusia.

Siç kujton Dagbladet, kjo nuk është hera e parë që Norvegjia akuzon Rusinë për bllokim të navigimit GPS.

Për herë të parë, një incident i ngjashëm ndodhi në vitin 2017 gjatë stërvitjeve të NATO-s.

Në dhjetor të vitit 2020, Oslo u përpoq ta zgjidhte këtë çështje me Moskën zyrtare përmes kanaleve diplomatike.

Ajo mori garanci se nuk do të kishte më bllokime GPS. Por në fakt, intensiteti i incidenteve të tilla u rrit në dy vitet në vijim.

Ambasada ruse në Norvegji, e pyetur nga Dagbladet, tha se “nuk ishte në dijeni të ndonjë kërkese zyrtare” në lidhje me ndërprerjet e GPS-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore