Sport

Rusia akuzon Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për ‘racizëm dhe neo-nazizëm’


Presidenti i IOC-së Thomas Bach (m) dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin (d) (Photo: Mikhail Klimentyev)

Rusia akuzoi të mërkurën Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për “racizëm dhe neo-nazizëm” mbi rregullat e neutralitetit për olimpistët rusë dhe sanksionet e mundshme për atletët që marrin pjesë në Lojërat e Miqësisë të organizuara nga Kremlini.

IOC njoftoi të martën se atletët rusë dhe bjellorusë, të cilët duhet të garojnë nën një flamur neutral në “Paris 2024”, nuk do të lejohen të parakalojnë gjatë ceremonisë së hapjes më 26 korrik në kryeqytetin francez, një kufizim i ri i vendosur si rezultat i ofensivës së Rusisë në Ukrainë më shumë se dy vjet më parë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha: “Vendimet e IOC janë të paligjshme, të padrejta dhe të papranueshme. Jemi të tmerruar nga kushtet diskriminuese të paprecedentë të vendosura nga IOC ndaj atletëve rusë”.

“Këto deklarata tregojnë se sa larg IOC ka devijuar nga parimet e saj të deklaruara dhe ka u kthye në racizëm dhe neo-nazizëm”, theksoi ajo në një konferencë për shtyp.

Qeveria ruse akuzoi gjithashtu IOC se po përpiqet të frikësojë atletët që duan të marrin pjesë në Lojërat e Miqësisë. James Macleod, drejtori i solidaritetit olimpik i IOC, refuzoi të përjashtonte sanksionet.

“Është frikësim i atletëve dhe minon plotësisht autoritetin e IOC”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Përgjigja e Moskës vjen një ditë pasi IOC ashpërsoi qëndrimin e saj kundër iniciativës ruse për të pritur një ngjarje sportive, duke përfshirë një edicion dimëror, në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Lojërat Olimpike, të cilat organi tha se po organizohej “për motive thjesht politike”.

IOC kritikoi gjithashtu “përpjekjen cinike” për të përdorur atletët “për qëllime të propagandës politike”.

Për momentin, Rusia nuk po planifikon të bojkotojë Lojërat e Parisit, megjithëse ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Macron i bën thirrje Rusisë për armëpushim gjatë Olimpiadës së Parisit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore