Sport

Rusia nuk ka ndërmend të bojkotojë ‘Paris 2024’


Rusia nuk po mendon të bojkotojë Lojërat Olimpike “Paris 2024”, deklaroi ministri rus i Sportit Oleg Matytsin, pavarësisht kufizimeve të vendosura ndaj atletëve të saj si rezultat i ofensivës së Kremlinit në Ukrainë.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) pezulloi Rusinë dhe Bjellorusinë nga Lojërat e “Parisit 2024” dhjetorin e kaluar, por dha dritën jeshile për atletët rusë dhe bjellorusë që të konkurrojnë si neutralë, pa simbole kombëtare, me kusht që të mos mbështesin në mënyrë aktive fushatën sulmuese të Rusisë në Ukrainë.

Përballë paaftësisë së rusëve për të përfaqësuar vendin e tyre si atletët e tjerë, ministri i Sportit Oleg Matytsin u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve “TASS” të ketë thënë: “Ne nuk duhet të kthejmë shpinën, të mbyllemi, të bojkotojmë këtë lëvizje. Ne duhet të ruajmë mundësi dialogu dhe pjesëmarrje sa më shumë në gara”.

Oleg Matytsin (Getty)

Sipas “AFP”, ministri përjashtoi mundësinë e pritjes së ndonjë fleksibiliteti nga IOC kur bordi ekzekutiv i saj të mblidhet javën e ardhshme: “Do të shohim se cili do të jetë vendimi përfundimtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (…) por deri më tani qëndrimi është se atje nuk do të ketë rekomandime dhe rregullore të reja”.

IOC e ka paraqitur gjithmonë vendimin e saj si përfundimtar, por ende nuk ka vendosur për praninë e atletëve rusë dhe bjellorusë në ceremoninë e hapjes, të planifikuar për 26 korrik. Ata tashmë janë ndaluar nga ceremonia e hapjes së Lojërave Paralimpike më 28 gusht, por vendimi për ceremoninë olimpike është ende në pritje.

Deri në ndërhyrjen e Matytsin, nuk ishte e qartë nëse Rusia do t’i rekomandonte sportistët e saj të shkonin në Paris. Rusia kishte kundërshtuar pezullimin e IOC, por Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e pushoi çështjen muajin e kaluar.

Matytsin tha se Moska nuk mund të bënte “rekomandime të përgjithshme” për të gjithë atletët e saj sepse “çdo federatë ndërkombëtare ka një qasje të ndryshme”.

“Disa ndalojnë fare pjesëmarrjen (siç është Atletika Botërore), të tjerë lejojnë të drejtën për të marrë pjesë në një status neutral”, theksoi ministri.

Ai theksoi gjithashtu se pavarësisht ndalimit, Lojërat Olimpike mbeten të rëndësishme për Rusinë.

“Është shumë e rëndësishme për atletët dhe shoqërinë tonë që të ruajnë dialogun dhe t’u japim djemve tanë mundësinë të tregojnë se sa të mëdhenj jemi si një vend sportiv në një luftë të drejtë”, vijoi ai.

Nisur nga ky skenar, pyetja është nëse atletët që kualifikohen do të shkojnë realisht. Pak kohë më parë, vendi më i madh në botë gjeografikisht i quajti kufizimet “poshtëruese” dhe “diskriminuese”, por nuk u ka thënë sportistëve të vendit nëse duhet të marrin pjesë në Lojërat e Parisit apo jo.

Vladimir Putin (Getty)

Sipas “AFP”, presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu u përmbajt nga dhënia e këshillave për pjesëmarrjen e tyre këtë verë.

“Kushtet duhet të konsiderohen me kujdes”, tha Putin në dhjetor, kur vetëm tetë rusë dhe tre bjellorusë plotësuan kriteret e IOC.

Në dhjetor, IOC njoftoi kufizime të paprecedentë për atletët nga Rusia dhe aleati i saj Bjellorusia, të cilët shpresonin të garonin në Paris.

Ata jo vetëm që duhet të konkurrojnë si neutralë, por nuk mund të “mbështesin në mënyrë aktive luftën” ose të jenë “nën kontratë me forcat e armatosura kombëtare ruse ose bjelloruse ose shërbimet e sigurisë”, vendosi IOC.

IOC ka ndaluar gjithashtu çdo shfaqje të flamujve dhe himneve të të dy vendeve në Lojërat 2024. Dhe asnjë zyrtar qeveritar apo shtetëror nga Rusia apo Bjellorusia nuk do të ftohet në festën sportive katërvjeçare.

Edhe para ofensivës së Moskës në shkurt 2022 në Ukrainë, të mbështetur nga Bjellorusia, pjesëmarrja e Rusisë në lëvizjen olimpike ishte kufizuar nga një seri skandalesh dopingu të sponsorizuara nga shteti, por të mohuara nga Kremlini.

‘Paris 2024’ ka një problematikë të re, (mos) lejimin e rusëve në ceremoninë hapese

Përjashtimi nga ‘Paris 2024’, Komiteti Olimpik Rus: Diskriminim civil dhe sportiv

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore