Aplikacione

Rrjedhja e të dhënave në Clubhouse


Afro 1.3 milionë të dhëna personale të përdoruesve të aplikacionit të bisedave audio, Clubhouse, kanë dalë në internet.

The Verge, faqe kushtuar të rejave teknologjike, tregon se një bazë e të dhënave SQL me numrat personal të identifikimit, emrat e përdoruesve dhe të dhënat e Instagram-it dhe Twitter-it së bashku me ndjekësit e tyre, janë postuar në një forum online të hacker-ave.

Në mesin e informacioneve të nxjerra nuk rezultonin informacione të ndjeshme të përdoruesve siç janë numrat e kartave të kreditit. Mirëpo, informacioni i dalë mund të përdoret në përpjekjet për mashtrim për t’i detyruar përdoruesit t’i dorëzojnë ato informacione.

Kjo rrjedhje e informacionit nuk është e vetmja. Gjatë javës së kaluar u zbulua se nga platforma Linkedin u postuan në internet të dhëna të më shumë se 500 milionë përdoruesve.

Megjithatë Microsoft-i që ka në pronësi platformën, ka njoftuar se asnjë e dhënë e llogarive private të anëtarëve nuk është bërë pjesë e rrjedhjes së informacionit.

Rasti i Linkedin-it erdhi disa ditë pas zbulimit të të dhënave personale të rreth 533 milionë përdoruesve të Facebook-ut, të cilat u zbuluan në internet falas.

Kjo rrjedhje e informacionit mendohet se përfshinte numrat e telefonit të përdoruesve, datat e lindjes, vendndodhjet, adresat e postës elektronike dhe emrat e tyre të plotë.

Lidhur me rastin e Clubhouse-it, kompania nuk ka dhënë ende një koment.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore