Sport

Rritet tensioni te klubi i njohur italian, tifozët kërcënojnë lojtarin


Sampdoria rrezikon rënien nga kategoria dhe falimentimin dhe tifozët ultras të klubit thuhet se kërcënuan futbollistin e tyre, Abdelhamid Sabiri, i cili u detyrua të kthehej në Gjermani dhe nuk do të jetë në dispozicion në ndeshjen kundër Torinos që do të zhvillohet këtë të mërkurë.

Sampdoria po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e tyre. Ata janë në fund të tabelës së Serie A dhe rrezikojnë falimentimin nëse Massimo Ferrero nuk e shet klubin.

Skuadra e Dejan Stankovic kishte dhënë dorëheqjen pas humbjes 5:0 ndaj Fiorentina-s të dielën e kaluar, por klubi dhe tifozët e bindën atë të qëndronte në krye.

Sot, ata presin Torinon në “Stadio Ferraris”, por tensioni po përshkallëzohet në qytet, raporton “Calciomercato”.

Të dielën, një grup ultras thuhet se kërcënuan Sabiri-n dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Massimo Ienca, kur ekipi u kthye nga Firence.

Sabiri i kishte hidhëruar tifozët, kur në ndeshjen ndaj Fiorentina-s i dhuroi një fanellë një tifoz të ri të kundërshtarëve pas ndeshjes.

Sabiri është futbollist në pronësi të Fiorentina-s i huazuar te Sampdoria dhe do të rikthehet te klubi “Viola” në sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, ai u kthye në Gjermani, ku jeton familja e tij, pas kërcënimeve dhe nuk do të jetë në dispozicion kundër Torinos, derisa mediat italiane raportojnë që ai mund të mos luajë më me fanellën e Sampdoria-s.

Sipas “Calciomercato”, zhgënjimi i tifozëve të furishëm të Sampdoria-s mund të shpërthejë gjatë takimit të sotëm me Torinon.

Ndeshja e tyre e fundit në shtëpi kundër Spezia-s më 22 prill u pezullua përkohësisht pasi bomba tymi u hodhën në fushë nga tribuna jugore e stadiumit.

Autoritetet lokale kanë frikë se e njëjta gjë mund të ndodhë të mërkurën kundër Torinos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore