Shqipëria

Rritet sërish numri i vdekjeve dhe rasteve të reja nga Covid-19


Gjatë 24 orëve të fundit, 11 persona kanë humbur betejën me coronavirus-in dhe kanë rezultuar pozitivë 304 qytetarë në Shqipëri.

Gjatë kësaj dite vërehet një rritje e numrit të rasteve të reja, si dhe numri i vdekjeve nga Covid-19 në Shqipëri.

Aktualisht në spitalet COVID, në Tiranë dhe në spitalet rajonale Shkodër, Durrës, Elbasan, janë duke u trajtuar 293 pacientë. 11 prej tyre ndodhen në terapi intensive, nga të cilët pesë janë të intubuar.

Janë kryer 2 mijë 730 testime dhe janë shëruar 593 qytetarë.

Gjithashtu gjatë fundjavës dhe ditëve në vazhdim ka nisur vaksinimi masiv, kryesisht për grupmoshat +70 vjeç.

Kujtojmë se më 24 mars, Komiteti i Ekspertëve vendosi të zgjasë me dy javë masat shtrënguese në kuadër të pandemisë. Orari i kufizimeve nuk ndryshon. Po ashtu, edhe rregullat për grumbullimet.

Gjithashtu të shtunën e 27 marsit u lajmërua nga kryeministri Edi Rama, se në rajon do të vijnë 651 mijë vaksina Pfizer.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka aprovuar gjithashtu vaksinën kineze.

Mesditën e së enjtes, 25 mars, kanë mbërritur, në aeroportin “Nënë Tereza”, avionët me 192 mijë vaksina kineze, të nisura nga Turqia.

Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore