Shqipëria

Rreziku nga përmbytjet, Shqipëria ndër 20 shtetet më të rrezikuara në botë


Reshjet e dendura në 24 orët e fundit në rajon sollën vëmendjen te rreziku i përmbytjeve.

Në Itali u shënuan disa viktima, në Shqipëri dhe Kosovë pati dëme të shumta materiale, dhe disa qytete që shpallën gjendjen e emergjencës.

Duke përdorur të dhënat nga një studim i fundit i botuar në revistën “Nature”, Shqipëria është një nga tre vendet e Evropës më të rrezikuara nga përmbytjet.

Ajo renditet në vendin e 20-të në botë për nga përqindja e popullsisë në rrezik.

Harta grafike paraqet rrezikun e përmbytjeve në të gjithë botën, duke nxjerrë në pah 1.81 miliardë njerëz të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj këtij fenomeni natyror.

Metodologjia merr parasysh rreziqet e mundshme nga përmbytjet në brendësi dhe në bregdet.

Kjo gjë u theksua edhe në një raport të Bankës Botërore ku shkruhej se fatkeqësitë natyrore në Shqipëri, si stuhitë e forta dhe përmbytjet, po bëhen më të shpeshta, të paparashikueshme dhe të rënda për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Ndryshimet klimatike pritet të rrisin rrezikun dhe intensitetin e përmbytjeve dhe reshjeve, duke çuar në rritjen e rrezikut të humbjeve të jetës, dëmtimit të pronave dhe infrastrukturës nga përmbytjet e drejtpërdrejta dhe/ose rrëshqitjet e dheut dhe erozioni i tokës”.

Sipas Raportit Vjetor, Shqipëria renditet vazhdimisht si e para në Evropë për periudhën 2011-2019.

Gjithashtu bëhet me dije se më shumë se 4 mijë ngjarje fatkeqësish janë regjistruar në Shqipëri nga viti 1851 deri në 2013, ku shumica (33%) janë ngjarje meteorologjike, të ndjekura nga ngjarjet klimatologjike (22%), hidrologjike (21%) dhe rrëshqitjet e tokës (14%)

Pjesa e mbetur, rreth 10%, ishin ngjarje gjeofizike, biologjike dhe teknologjike.

Megjithatë, fatkeqësitë gjeofizike kanë shkaktuar shkallën më të lartë të vdekshmërisë, duke zënë më shumë se 50% të humbjeve totale të jetës, të ndjekura nga ngjarjet hidrologjike me 18%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore