Lajme

Rreth 19 mijë qytetar të Maqedonisë së Veriut mbi moshën 15 vjeçare janë analfabetë


Shkup, Maqedoni e Veriut

Mbi 13 mijë gra dhe mbi 5 mijë burra të moshës mbi 15 vjeç në Maqedoni të Veriut janë analfabetë.

Numri i saktë i personave analfabetë në këtë shtet është 18 mijë e 897 ose 1.2% e popullsisë rezidente.

Enti Shtetëror i Statistikës publikoi grupin e tretë të të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vend për nivelin e shkollimit dhe fuqinë punëtore, raporton Alsat.

Mbi 23 mijë persona ose 1.5% janë pa asnjë lloj shkollimi.

Mbi 62 mijë persona ose 4% janë pa arsim fillor të përfunduar, 27% janë me arsim fillor, 44% janë me arsim të mesëm, 17% me arsim të lartë, afër 2% me magjistraturë dhe 0.4% me doktoraturë.

Për 3% të popullsisë rezidente mbi 15 vjeç nuk ka të dhëna për përgatitjen shkollore ose akademike.

Popullsia rezidente mbi 15 vjeç

18 897 janë analfabetë – 1.2% – (13 380 gra dhe 5 517 burra)

23 192 persona ose 1.5% janë pa arsim

62 129 persona 4.1% janë pa arsim fillor të përfunduar

423 456 persona ose 27.8% janë me arsim fillor

672 375 persona ose 44.1% janë me arsim të mesëm

263 349 persona ose 17.3% janë me arsim të lartë,

29 654 persona ose 1.9% janë me magjistraturë

6 037 persona ose 0.4% janë me doktoraturë

45 174 persona ose 3% janë pa të dhëna për përgatitjen shkollore ose akademike.

Personat me nivel më të lartë arsimor janë në numër më të madh në drejtimet, inxhinieri, prodhimtari dhe ndërtimtari kurse më pak në drejtimet teknologji informatike dhe të komunikimit.

Popullsia e aftë për punë mbi moshën 15 vjeçare është 1 525 366, prej të cilëve 608 520 janë të punësuar kurse 109 249 të papunësuar. Numri i personave joaktiv është 768 549.

Popullsia rezidente mbi 15 vjeç

1 525 366 – persona të aftë për punë

608 520 janë të punësuar

109 249 të papunësuar

768 549 persona janë të aftë për punë por joaktiv

Më shumë të papunë janë me shkollim të mesëm, gjegjësisht, mbi 56 701 persona. Më shumë të punësuar ka në industrinë e përpunimi, gjegjësisht 123 347 persona.

Enti i Statistikës thotë se këto të dhëna nuk janë befasuese.

“Ajo që nuk na habit dhe që nuk duhet të presim është që ne të jemi dhe popullsia ekonomikisht më aktive në botë. I dimë problemet me të cilat përballemi. Numrat janë pasqyrë reale e të dhënave në shtet. Statistika është këtu për të na treguar gjendjen si është, jo ashtu si do të donim të ishte dhe jo ashtu siç nuk do të donte askush që të jenë”, deklaroi Apostoll Simovski, drejtor i Entit të Statistikës.

Sipas regjistrimit të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i popullsisë është 2 milion e 97 mijë e 319. Numri i popullsisë rezidente është 1 milion e 836 mijë e 713 kurse i personave të vetëregjistruar nga diaspora është 260 mijë e 606.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore