Aplikacione

Rregullatori britanik heton TikTok-un mbi kontrollet prindërore


TikTok-u është duke u hetuar nga rregullatori i medias në Mbretërinë e Bashkuar.

Hetimi është i lidhur me shqetësimet që aplikacioni në pronësi kineze ka dhënë informacione “të pasakta” në lidhje me kontrollet e tij prindërore.

Sakaq, lëvizja vjen teksa mbikëqyrësi intensifikon përpjekjet për të mbrojtur fëmijët nga materialet e dëmshme në internet.

Ofcom ka bërë me dije se ka “baza të arsyeshme për të besuar” se TikTok në pronësi të ByteDance ka shkelur përgjegjësitë e tij ligjore.

Po ashtu ka shtuar se mund të ndërmarrë veprime përmbarimore.

TikTok, nga ana tjetër, ka fajësuar një problem teknik që çoi në ofrimin e të dhënave të pasakta.

Kompania ka bërë me dije se ka njoftuar rregullatorin dhe se po punon me shpejtësi për të korrigjuar problemin.

Gjithashtu ka deklaruar se po planifikon të japë të dhëna të sakta sa më shpejt të jetë e mundur.

Ofcom ka kërkuar informacion nga TikTok-u për të kuptuar dhe monitoruar se si funksiononin kontrollet prindërore të platformës virale të videove.

Rregullatori ka thënë ndërkaq se “provat e disponueshme sugjerojnë se informacioni i dhënë mund të mos ketë qenë i plotë dhe i saktë”.

Ofcom po intensifikon punën në mbrojtjen e fëmijëve nga dëmtimi, si pjesë e rolit si rregullatori i sigurisë në internet në Mbretërinë e Bashkuar, pas një legjislacioni historik të miratuar në tetor.

Legjislacioni shihet si ndër rregulloret më të forta në internet në botë dhe Ofcom ka shtyrë që kompanitë të mbajnë përgjegjësi për shkeljet e ligjit.

Këtë muaj, mbikëqyrësi britanik ka lëshuar udhëzime për faqet pornografike, duke i detyruar të prezantojnë masa teknike më të rrepta për të siguruar që përdoruesit e tyre të jenë mbi moshën 18 vjeç.

Rregullatori gjithashtu ka fituar së fundmi kompetencat për të rregulluar platformat e ndarjes së videove dhe ka mbledhur informacion që nga viti 2021 për kompanitë kryesore, duke përfshirë TikTok, Snapchat, Twitch dhe OnlyFans.

Ofcom ka theksuar në raportin e tij se TikTok, Twitch dhe Snapchat mbështeten te përdoruesit që deklarojnë moshën e tyre kur regjistrohen, që do të thotë se është e lehtë të fitosh akses duke hyrë në një moshë të rreme.

Dhe se zgjodhi të përqëndrohet në këto tre platforma për shkak të popullaritetit të tyre me moshën nën 18 vjeç.

Të tre përdorin metoda të tjera për të identifikuar përdoruesit e mitur, duke përfshirë moderatorët njerëzorë dhe zbulimin e inteligjencës artificiale të gjuhës që mund të sugjerojë se ata janë nën 18 vjeç.

Ofcom, megjithatë, ka thënë se efektiviteti i masave të tilla ishte ende për t’u përcaktuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore