Lajme

Evropa festat me dyer të mbylluara


Periudha e fundvitit në varësi të nivelit të përhapjes dhe infektimeve me COVID-19 i gjen vendet evropiane me rregulla të ndryshme lidhur me kufizimet e lëvizjes së lirë.

Italia do të jetë në një mbyllje mbarëkombëtare për pjesën më të madhe të periudhës së fundvitit.

Ndërmjet 24, 27 dhe 31 dhjetorit dhe 3, 5 dhe 6 janarit, qytetarët do të lejohen të largohen nga shtëpia vetëm për arsye shëndetësore, emergjence apo pune. Restorantet, baret dhe shumica e dyqaneve mbeten të mbyllura.

Vizitat e mysafirëve do të lejohen deri në dy anëtarë për familje, pa përfshirë fëmijët nën 14 vjeç.

Ndërkohë shtetrrethimi do të qëndrojë nga ora 22:00 deri në 05:00.

Gjermania kalon në izolim. Në 16 dhjetor Gjermania paraqiti bllokimin e ri mbarëkombëtar i cili do të zgjasë deri në 10 janar.

Shkollat dhe dyqanet jo të domosdoshme do të jenë të mbyllura. Restorantet, baret dhe qendrat e argëtimit do të jenë gjithashtu të mbyllura.

Në një shtëpi lejohen të mblidhen deri në pesë persona të cilët të jenë maksimalisht nga dy familje. Nga data 24 deri në 26 dhjetor, një familje do të mundet të presë jo më shumë se katër anëtarë të ngushtë të familjes nga familjet e tjera. Nga ky rregull bëjnë përjashtim fëmijët.

Franca lehtëson situatën duke kaluar në shtetrrethim. Më 15 dhjetor Franca i lehtësoi masat e marra që në fund të tetorit për izolimin e të gjithë vendit.

Qytetarët francez nuk e kanë më të nevojshëm plotësimin e formularit për arsyen e daljes nga shtëpia. Megjithatë, restorantet, baret, teatrot dhe kinematë qëndrojnë të mbyllura.

Shtetrrethimi është në fuqi ndërmjet orës 20:00 dhe 06:00. Ky kufizim në orar pritet të mos hiqet për festat e fundvitit.

Masat e reja do të qëndrojnë deri në 20 janar. Ndërkohë çerdhet dhe shkollat vazhdojnë të hapura. Përjashtim bëjnë universitetet të cilët mund të vazhdojnë të jenë të mbyllur minimalisht deri në shkurt.

Paksa lehtësim ka edhe në Greqi. Qeveria greke ka vënë në dispozicion një numër telefoni nëpërmjet të cilit qytetarët grekë duhet të marrin leje para se të dalin nga shtëpia. Përmes dërgimit të një mesazhi ata duhet të cilësojnë arsyen e largimit nga shtëpia.

Ndërkohë shtetrrethimi aplikohet midis orës 22:00 dhe 05:00. Çerdhet, shkollat dhe dyqanet vazhdojnë të mbeten mbyllur.

Prej 18 dhjetorit, karantina e detyrueshme për udhëtarët që mbërrijnë në Greqi, u zvogëlua nga 10 në tre ditë. Pritet që masat të jenë deri në 7 janar.

Spanja do të aplikojë rregulla të reja. Nga 23 dhjetori deri në 6 janar, udhëtimi midis rajoneve do të lejohet vetëm për të vizituar miqtë dhe familjen.

Gjatë festave të fundvitit grupimet shoqërore do të kufizohen në 10 persona. Shtetrrethimi vazhdon të jetë gjatë orës 23:00 dhe 06:00 dhe pritet të zgjasë deri në muajin maj.

Krerët e shteteve rajonalë mund të modifikojnë oraret e lëvizjes së lirë dhe gjithashtu, mund të mbyllin kufijtë rajonalë për udhëtime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore