Pajisje

“Rregullat e BE-së duhet të përqendrohen te përfitimet e inteligjencës artificiale, jo te kufizimet”


Në Evropë, përpjekja për të vendosur rregulla mbi inteligjencën artificiale duhet të marrë një qasje pozitive për të korrur përfitimet e teknologjisë në vend që ta kufizojë atë.

Të paktën kështu ka bërë me dije ligjvënësja e Parlamentit Evropian, Svenja Hahn.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian propozoi rregullat e tij të inteligjencës artificiale në një përpjekje për të marrë drejtimin në një teknologji të dominuar nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sakaq, do të duhet të përzgjedhë detajet me vendet e Bashkimit Evropian dhe ligjvënësit e BE-së përpara se të zbatojë rregullat.

Propozimi i Komisionit parashikon gjoba deri në gjashtë për qind të xhiros globale për shkelje dhe masa mbrojtëse strikte për aplikacionet me rrezik të lartë të përdorura në rekrutimin, infrastrukturën kritike, vlerësimin e kreditit, migrimin dhe zbatimin e ligjit.

Deri në fund të vitit, me Parlamentin Evropian dhe vendet e BE-së që pritet të dalin me pozicionet e tyre negociuese, Hahn dhe ligjvënës të tjerë kanë për detyrë të gjejnë një kompromis.

Përdorimi i aplikacioneve për njohjen e fytyrës pritet t’i vërë vendet e BE-së që kërkojnë t’i përdorin në skenarët e zbatimit të ligjit dhe sigurisë kundër shqetësimeve të grupeve të të drejtave civile.

Sipas Hahn, legjislacioni i propozuar do të përfitonte duke përfshirë disa nga idetë e raportit.

Bazuar te raporti, rregullatorët duhet të kundërshtojnë frikën rreth inteligjencës artificiale, duke vënë në dukje rolin e teknologjisë në luftimin e ndryshimeve klimatike, promovimin e kujdesit inovativ shëndetësor, rritjen e konkurrencës së bllokut në mbarë botën dhe përforcimin e sistemeve demokratike.

“Duhet të ketë një qasje të përgjithshme pozitive ndaj inteligjencës artificiale”, ka thënë ajo.

Dhe se përkufizimi i inteligjencës artificiale dhe llojet e rreziqeve të përcaktuara nga Komisioni duhet të përmirësohen.

“E gjithë rregullorja duhet të jetë miqësore me inovacionin. Ajo nuk duhet të sjellë në të aspekte të tjera”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, Hahn favorizon një ndalim kundër mbikëqyrjes biometrike dhe vlerësimit social.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore