Lajme

Rrecaj për propozimin franko-gjerman të publikuar nga AP: Njohja faktike e Kosovës, forcohet me tre nenet e para


Besfort Rrecaj

Për profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Besfort Rrecaj, nenet e propozim – marrëveshjës së publikuar së fundi Albanian Post, sidomos nenet një, dy dhe tre, nënkuptojnë njohje faktike të Kosovës nga Serbia.

Nenet kryesore janë të bazuara në kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga e cila rregullohen raportet ndër-shtetërore.

Neni i parë, thotë se “Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta”.

Në një prononcim për AP, Rrecaj thekson se përdorimi i shprehjeve juridike si ‘fqinjësi e mirë’ dhe ‘të drejta të barabarta’, janë “karakteristikë e marrëdhënieve ndërshtetërore”.

Neni i dytë i marrëveshjes është neni tjetër thelbësor i planit franko-gjerman, përmes të cilit Serbia e pranon Kosovën dhe ekzistencën e saj si një aktor i barabartë në marrëdhëniet e përbashkëta.

“Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, në veçanti nga barazia sovrane e të gjitha shteteve, respektimi i pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial, e drejta e vetëvendosjes, ruajtja e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi”, thuhet në këtë nen.

Siç shpjegon Rrecaj, shprehjet si ‘barazia sovrane’, ‘pavarësia’, ‘autonomia e integriteti territorial’, ‘e drejta për vetëvendosje’, ‘ruajtja e të drejtave të njeriut’ dhe ‘mosdiskriminimi’, të gjitha “lidhen me prerogativa të cilat i posedojnë vetëm shtetet”.

Gjithashtu, edhe neni tre i referohet kartës së OKB-së.

“Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”, pohohet në këtë nen, duke vazhduar më pas me një nga pjesët më të rëndësishme të dokumentit.

“Ata (palët) riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen të kufirit/vijën ndarëse që ekziston ndërmjet tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin e tyre territorial”.

Edhe kjo pjesë, siç shpjegon profesori, është një “karakteristikë tjetër e cila lejohet vetëm për shtetet dhe atë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme ose çdo organizatë tjetër e cila mund të ketë formacione të armatosura të afta për të përdorur forcë janë të delegjitimuara”.

“Rrjedhimisht, kjo nënkupton të drejtën për ushtri/forca të armatosuar dhe përdorimin e saj për vetëmbrojtje individuale dhe kolektive. Zgjedhja e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore tashmë është e rrënjosur në të drejtën e përgjithshme zakonore ndërkombëtare”, shtoi ai.

Një pikë tjetër e rëndësishme është respektimi reciprok i juridiksionit të secilës palë dhe siç argumenton Rrecaj, “ndërlidhet me sovranitetin shtetëror i cili paraqet pushtetin më të lartë shtetëror brenda territorit përderisa ai sovranitet nuk është deleguar në një entitet tjetër me vullnetin e atij shteti”.

Ndërkaq, shkëmbimi i misioneve të përhershme apo kërkesa që ato misione të vendosen në selinë e qeverisë përkatëse, nënkupton kryeqytetin dhe duke u nisur nga praktika të tilla, Rrecaj nënvizon se “ambasadat vendosen vetëm në kryeqytetin e njohur të shtetit pranues”.

Nga ana tjetër, disa pika tjera të cilat mund të konsiderohen të mangëta por që mund të jenë të pranueshme për një kohë kalimtare, sipas Rrecajt janë, çështja e përdorimit të shprehjes ‘kufi’ apo ‘vijë ndarëse’.

“Duket sikur shkon paralel me praktikën e deritashme të përdorimit të shprehjes kufi/vijë administrative”.

“Besoj që nëse ceken shprehjet si sovranitet, vetëvendosje, pavarësi etj. është shumë e natyrshme të përdoret vetëm shprehja kufi”, vë në pah ai.

Në fund, Rrecaj nuk harron të qartësojë rëndësinë e asaj se çka parasheh Protokolli Suplementar.

“Ky protokoll është e rëndësishme që të shkoj në frymën e pikave të kësaj marrëveshjeje dhe mos ta zbeh atë më shumë por të shkojë në drejtim të fuqizimit të karakteristikave shtetërore të Kosovës”.

Ndryshe, deri më tani propozimi është përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kurse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka potencuar se është “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar vazhdimisht se ajo që ka parë është “e vështirë për Serbinë”.

Albanian Post ka publikuar ekskluzivisht atë që tani është pagëzuar “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore