Muzikë

Ronela Hajati publikon versionin final të “Sekret” – këngës konkurruese në “Eurovision”


Ronela Hajati

Këngëtarja shqiptare, Ronela Hajati, e cila do ta përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e sivjetmë të Festivalit Evropian të Këngës – “Eurovision”, ka publikuar versionin final të këngës konkurruese.

Fotografi e publikuar nga Ronela Hajati në Instagram – prapaskenat e xhirimeve të “Sekret”.

Kënga “Sekret”, e cila morri dritën jeshile për në “Eurovision”, në dhjetorin e vitit që lamë pas, tashmë është publikuar edhe me video klip të shoqëruar me performanca dhe veshje unike të Hajatit.

Pjesa vizuale mban vulën e Radio Telelvisionit Shqiptar, ndërsa tekstin dhe melodinë e këngës e ka bërë vetë Ronela – të njëjtën e ka incizuar në studion e producentit, Marko Polo.

Fotografi e publikuar nga Ronela Hajati në Instagram – prapaskenat e xhirimeve të “Sekret”.

Për dallim nga versioni i interpretuar në Festivalin e Këngës së RTSH-së, kësaj radhe, Ronela, ka ndërhyrë në gjuhën e vargjeve, teksa ka sjellë një përzierje në mes të shqipes dhe anglishtes.

Brenda video klipit, Ronela, është shfaqur më e veçantë se kurrë, teksa inspirimin duket ta ketë gjetur nga kohërat antike – e gjithë historia e video projektit vije në formë të një filmi të shkurtër.

Fotografi e publikuar nga Ronela Hajati në Instagram – prapaskenat e xhirimeve të “Sekret”.

“Sekret” po mirëpritet nga publiku shqiptar, por edhe ai internacional – kësisoj, komente të shumta kanë vërshuar në video projektin e publikuar në faqen zyrtare të “Eurovision-it” në YouTube, shumica dërrmuese e të cilave ishin përgëzuese.

Në më pak se një orë që kur “Sekret” ishte publikuar në YouTube, kënga ka arritur të grumbullojë afro 60 mijë klikime në këtë platformë.

“Eurovision 2022” do të zhvillohet në “Pala Olimpico Arena”, të Torinos në datat 10 dhe 12 (netët gjysmëfinale) dhe 14 maj (nata finale).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore