Sport

Roma, Tiago Pinto shpalos listën me preferencat e Jose Mourinho-s


Jose Mourinho po kërkon disa aferime te skuadra e Roma-s. Drejtori sportiv i verdhekuqëve, Tiago Pinto, ka në dorë listën me preferencat e portugezit dhe dy prej tyre do të përpiqet t’i sjellë në “Olimpico” gjatë janarit.

Sipas gazetës së përditshme sportive italiane “Corriere dello Sport”, synimet primare të kryeqytetasve janë dy. Ata kërkojnë një mesfushorë dhe një mbrojtës të djathtë.

Mourinho e konsideron të paplotë organikën që ka aktualisht te Roma. Ndaj, tekniku pret së paku dy afrime në merkaton dimërore.

Bryan Cristante në mesfushë dhe Rick Karsdorp në krahun e djathtë të mbrojtjes, luajtën nga 55 ndeshje secili këtë vit. Çka përbën një numër të lartë ndeshjesh dhe kjo mund të rrezikojë që lojtarët të dëmtohen.

Pikërisht kjo është arsyeja se përse Mourinho kërkon të ndërhyrjë në këto dy role. Ai nuk pret emra të mëdhenj, por emra të denjtë për të bërë rotacione kur është e nevojshme.

Për linjën e djathtë të mbrojtjes, Mourinho ka kërkuar një nga katër emrat e propozuar. Diogo Dalot-i i Manchester United, ishte një prej kërkesave, por që tashmë duket e parealizueshme. Mbrojtësi portugez nën drejtimin e Ralf Rangnick-ut është kthyer në titullar te anglezët.

Tre alternativat e tjera janë Max Aarons-i i Norwich-it, Marcus Holmgren Pedersen-i i Feyenoord-it dhe Benjamin Henrichs-i i Leipzig-ut. Dy të parët janë nga 21-vjeç dhe i treti 24-vjeç.

Përsa i përketë mesfushës, pas emrit të Granit Xhakës, që tashmë duket totalisht i pamundur, emri më i lakuar është ai i Denis Zakaria-s. Një tjetër mesfushor zviceran, që aktivizohet me gjermanët e Borussia Monchengladbach-ut.

Zakaria është në gjashtë muajit e fundit të kontratës në “Borussia-Park” dhe do ishte pak i kushtueshëm për arkat e klubit. Por, problemi i vetëm është se për të interesohen skuadra si Juventus-i, Borussia Dortmund-i dhe Liverpool-i.

Dy emra të tjerë në mesfushë, që janë edhe më të arrtishëm janë Hector Herrera i Atletico Madrid-it dhe Florian Grillitsch-i i Hoffenheim-it. Të dy janë në përfundim të kontratave me klubet përkatëse.

Përsa i përketë rinovimeve. Tiago Pinto po punon për rinovmin e kontratës së Gianluca Mancini-t. Kontratë e cila përfundon në 2024 dhe po synohet zgjatja deri në 2026.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore